Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ngushëlluar për vdekjen e inferemierës Fitore Zenelaj, duke thënë se ajo do të mbesë frymëzim si të luftohet për ata që përballen me kancer.
Ai tha se ajo do të mbahet mend e do të respektohet gjithmonë.
“Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre”, ka shkruar Vitia.
Fitore Zenelaj është përballur për disa vite me sëmundjen e kancerit dhe ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për vetëdijesimin mbi luftën ndaj kësaj sëmundje. Ajo ka lënë pas vetes bashkëshortin dhe tri vajza.
Postimi i plotë i Vitisë:
Në vend të lamtumirës për Fitore Zenelaj
Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim.
Fitorja do të jetë përjetë frymëzim i tillë.
U pikëlluam thellësisht për largimin në amëshim të infermieres Fitore Zenelaj.
Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre.
Ajo luftoi. Por mbi të gjitha Ajo i mësoi të tjerët si të luftojnë.
Ndaj do të mbahet në mend e respektohet gjithmonë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën!