Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar pas tërmetit në Turqi e Siri, ku bëri të ditur se ekipet e para mjekësore nga Kosova kanë arritur në zonat e prekura.
Vitia ndau dhimbjen nga tragjedia që ka goditur Turqinë dhe Sirinë, ku deri më tani raportohet për mbi 5 mijë e 400 të vdekur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Tashmë ekipet e para mjekësore nga Kosova kanë arritur në zonat e prekura nga tërmeti për të ofruar ndihmën tonë, paralelisht siç e ndajmë edhe dhembjen për popullin mik të Turqisë”, është shprehur Vitia.
Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e nesërme si ditë zie, në shenjë të solidarizimit me popullin turk dhe atë sirian, pas tërmetit që goditi rajonin, i cili la pas mijëra të vdekur e të plagosur.