Viti 2018 ka nisur si mos më keq për Lëvizjen Vetëvendosje.
Duke mos mjaftuar përçarjet, ky subjekt politik që në ditën e dytë të 2018-ës ka mbetur pa kryetar, shkruan AktivPress.
Ditën e djeshme, Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet që kishte në parti, duke e cilësuar si njërin ndër vendimet më të vështira që ka marrë në jetë.
“Unë sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime. Por edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë. Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh”, kishte shkruar Ymeri në letrën e tij të dorëheqjes.
Ymeri i cili e drejtonte VV-në që nga viti 2015, kishte shtuar se shpreson që kjo dorëheqje e tij “do të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën ka ardhur ky subjekt politik”.
Ndërkaq sot, katër deputetë të Lëvizjes, u dënuan me 5 vjet e gjysmë burgim me kusht.
Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli u shpallën fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës për hedhjen e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.
Kurti u dënua me 1 vjet e 6 muaj burg, Faton Topalli me 1 vjet e 2 muaj burg, Haxhiu me 1 vjet e 3 muaj dhe Kadaj-Bujupi me 1 vjet e 6 muaj burgim.
Vendimi i gjykatës, ngjalli reagime të anëtarëve të këtij subjekti politik.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryetarit Visar Ymeri, i cili përmes Facebook-ut vlerësoi se aktgjykimi ndaj deputetëve të VV-së është “akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor…”, duke e quajtur vendim politik.
Edhe Dardan Molliqaj dhe Shpend Ahmeti e quajtën të padrejtë vendimin ndaj bashkëpartiakëve të tyre.
Lëvizja Vetëvendosje në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë që pritet të mbahen këta muaj, derisa kandidaturën për ta udhëhequr sërish Lëvizjen e ka zyrtarizuar Albin Kurti.
Përçarjet brenda Vetëvendosjes, sipas anëtarëve të saj kishin nisur një vit më parë, derisa u bënë publike pas publikimit një mesazhi në aplikacionin Viber, ku deputetja e VV-së, Aida Dërguti e kishte ofenduar kolegun e saj Albin Kurtin./AktivPress/.