Site icon PrishtinaPress

​Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë të gjitha benefitet

Viktimat e dhunës seksuale nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Edhe ato të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës konsideron se përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat tjera.

Sipas drejtoreshës, Feride Rushiti, të mbijetuarit duhet të posedojnë një ID, ku do të identifikohen si viktima civile, procedura të cilat nuk kanë nisur të zbatohen. Veç tjerash, ajo në intervistën për KosovaPress flet edhe për shërbimet shëndetësore falas brenda shtetit, për të cilat thotë se nuk sigurohen me ligjin aktual.

Rushiti thotë se përkundër kategorive të tjera të dala nga lufta, viktimat e dhunës seksuale ballafaqohen me stigmë dhe paragjykim.

Rushiti shton se prej vitit 2014 kanë mbështetur dy rregullore, të cilat e rregullojnë kartelizimin e të gjitha kategorive nga Ligji për Vlerat e Luftës.

Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se gratë e burrat nuk mund të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale që të përfitojnë. Kjo ndodhë për shkak të frikës se do të identifikohen se kush janë.

Në anën tjetër, gratë e burrat e Kosovës të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës, ajo thekson se nuk gëzojnë shërbime shëndetësore falas brenda vendit.

Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.

Përveç pensionit personal, me ligj janë të parapara edhe beneficionet të tjera si: Shërbime shëndetësore jashtë vendit, përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lirimi nga tatimi në pronë, përkujdesja për banim dhe përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar.

Exit mobile version