Organizatat joqeveritare vazhdojnë të kundërshtojnë afatizimin për verifikim të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, derisa kërkojnë vetëdijesim të shoqërisë në raport me qasjen ndaj viktimave. E komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut po realizon takime të mbyllura me akterët të cilët mund ta lehtësojnë këtë proces, ndërsa komisioni për verifikim shprehet i gatshëm për trajtimin e rasteve të reja sapo të dekretohet ligji.
Janë 16 persona në proces të verifikimit pas periudhës së zgjatjes së afatit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Të mërkurën komisioni parlamentar dhe OJQ-të e licencuara, takimin e mbajtën me dyer të mbyllura.
Eliza Hoxha, jashtë takimit, tha se komisioni në vazhdimësi po takohet për t’i shmangur sfidat e mundshme në mënyrë që viktimat ta kenë më të lehtë procesin e verifikimit.
“Sensibilizimi i parë duhet të jetë me viktimat që kanë mundësi sërish të aplikojnë dhe të bëhen gati kushdo që dëshiron të hyjë në këtë proces. Sensibilizimi i dytë është gjithmonë me shoqërinë, sepse këto viktima atakohen në forma të ndryshme nga familja, nga rrethi shoqëror i ngushtë por edhe nga shoqëria. Mendoj që këtu duhet të punojmë më shumë, jo vetëm me neve që e kemi përjetuar luftën por edhe me kategoritë e reja, me fëmijët, që ta kuptojnë në thelb peshën e rëndë që lufta e ka lënë”, tha Eliza Hoxha, anëtare e komisionit për të drejtat e njeriut.
Komisioni për verifikim është i gatshëm për rastet e reja.
“Besoi që së shpejti do të dekretohet ligji dhe menjeherë në momentin që ligji të hyn në fuqi komisioni të hapë derën ose mundësinë që pranon aplikime të reja. Ne kemi bashkëpunuar me këto OJQ në mënyrë që në momentin kur të hyn ligji në fuqi t’i marrim rastet e reja”, tha Leonora Selmani , kryetare e komisionit për verifikim.
OJQ-të e licencuara nga shteti thonë se në vazhdimësi po punojnë me viktimat teksa ato ende nuk po i gëzojnë të gjitha të drejtat.
“Në organizatë janë rreth 700 raste që marrin shërbimin e rregullt të rehabilitimit mjekësor, psikologjik e social. Rreth 500 prej tyre tashmë janë qasshme, shumë prej tyre janë edhe të punësuara në organizata të ndryshme”, tha Feride Rushiti nga KRCT.
“Si shqetësim i yni është se nga fillimi i implementimit nuk kemi përfitues të beneficioneve të cilat janë paraparë me ligj, qoftë shërbime shëndetësore, qoftë pajisje me kartela”, ka thënë Kadire Tahiraj nga QPDG.
Ndryshe, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilave u është njohur statusi, gëzojnë të drejtën e pensionit prej 230 eurosh./rtk/