Site icon PrishtinaPress

Viktimat e dhunës në familje po hasin në vështirësi për të raportuar rastin

Viktimat e dhunës në familje po përballen me stigmë shoqërore, vështirësi për të raportuar dhunën, abuzim psikologjik dhe pamundësi për t’u riintegruar. Kështu u tha në konferencën “Të kuptuarit e peizazhit institucional: Vlerësimi i dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, ku u prezantuan të gjeturat nga intervistat dhe anketat e realizuara me zyrtarë komunal. Aty u tha se mbetet shqetësues numri i raportimeve të dhunës, e po ashtu edhe rastet që po përfundojnë me fatalitet.

Menaxherja e projektit “Solidar Suisse SEE”, Firdeze Bekteshi-Ukaj tha se ky projekt është impelementuar në Prishtinë, Prizren, Kamenicë, Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit. Ajo shtoi se qëllimi i konferencës është prezantimi i këtij projekti, i cili paraqet një peizazh të qëndrimeve institucionale.

Koordinatorja e “Solidar Suisse SEE”, Syzane Baja theksoi se synim kanë që të punohet për një shoqëri të barabartë dhe çdo njeri të pranohet.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli tha se mbetet shqetësues numri i raportimeve të dhunës me bazë gjinore.

Ekspertja Nora Jusufi tha se pandemia COVID-19, ka krijuar sfidë të re, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Ajo foli edhe për llojet e dhunës që po përjetojnë gratë, ku tha se më shumë se 95 për qind e dhunuesve janë meshkuj.

Në gjashtë komunat ku po realizohet projekti, Jasufi tha se kanë realizuar anketa me zyrtarët komunal.

Edhe në intervistat e realizuara, ajo tha se nënvizohet vështirësia për t’i bindur gratë që të raportojnë dhunën.

Në paraqitjen e të gjeturave nga gjashtë intervistat, Jusufi listoi disa nga faktorët që ndikojnë në mos-raportimin e dhunimit dhe pengesat që kanë gratë e dhunuara.

Kjo konferencë është pjesë e projektit “Parandalimi i dhunës me bazë gjinore përmes edukimit dhe ngritjes së vetëdijes”, i zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Solidar Suisse SEE, e që mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Exit mobile version