-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Viktima e Vukotiqit që u dënua sot për dhunim në luftë: I humba dy fëmijë, doja të vdisja

Zoran Vukotiq u dënua sot me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.

Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.

Ajo çfarë i ndodhi iu bë barrë e përditshme, e rrëzoi, por nuk e la të dorëzohet. E lënduar, por ndjenjat nuk lejoi t’i dalin në pah dhe para agresorit e trupit gjykues arriti të thotë të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.

“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo për KP.

B.K mezi merr frymë kur kujton ngjarjen. E kaluara e asaj ia vrau të përditshmen. Ajo rrëfen se si më shumë e deshi veten të vdekur se sa të gjallë.

“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, vijon rrëfimin ajo.

Makthi i përjetuar i shfaqet në ëndrra, i kujtohet në mëngjes, në mbrëmje, në rrugë e në shtëpi. Ato nuk mund t’i heq nga koka. Më mirë nuk është as pas janarit, kur ajo u ballafaqua me personin i cili, siç thotë ajo, ia shkatërroi jetën. Gruaja afër të pesëdhjetave, lutet që të mos takohet asnjëherë më me Zoran Vukotiq, shtetasin serb, i cili akuzohet edhe për krime të tjera kundër njerëzimit.

“Më ka rikthyer qysh në kohën kur ka ndodhur rasti (e përmend datën) mu duk sikur atë ditë ndodhi. Për mua ka qenë shumë e rëndë, pastaj, por në atë moment jam bërë shumë e fortë, shumë jam bërë e fortë”, shprehet ajo.

Dita e 21 janarit të këtij viti, kur kjo e mbijetuar u përballë me dhunuesin në seancë gjyqësore, u konsiderua historike për organizatat që po merren me trajtimin e tyre tash e dy dekada.

“Më kujtohet momenti kur ka hyrë personi, i pandehuri për krimin e bërë, e mbijetuara ka filluar të bëjë lëvizje të pakoordinuara, kërcente sikur lepur. Unë mundohesha t’ia mbaja dorën, mundohesha që t’i qëndroja pranë, edhe ajo ka qenë qëllimi që të përkrah, por as unë nuk mbeta pa emocione. Ishte e pamundur, ajo rryma që u krijua mes të qenit mes të mbijetuarës edhe mes të dhunuarës, është emocion i pa përshkruar. Edhe të kthen tamam në ngjarjen e vitit ’99. Megjithatë edhe pse ishte emocionuese dhe mbi të gjitha unë dua ta ndaj me opinionin e gjerë që kemi të bëjmë me një grua që ka forcë të papërshkrueshme. Me arrit krejt atë lloj krimi që është ushtruar në trupin e saj, me arrit ta dokumentoj nuk është fare e lehtë. Ka qenë moment emocional, i ka bërë me lot komplet trupin e gjykatës edhe ne që kemi qenë prezent”, shton ajo.

Muajt e pranverës e kthejnë mbrapa në kohë dhe i kujtojnë ngjarjen që i solli dhembje të forta. Ajo kujton edhe ditën e ngjarjes për të cilën tha se nuk pati nevojë t’i tregojë asgjë familjes pasi dukej nga pamja e jashtme e saj që diçka e tmerrshme kishte ndodhur.

“Saktësisht prej datës (censuruar), kemi qëndruar pranë varrezave me datën (censuruar) atë ditë herët në mëngjes forcat serbe na dëbuan prej shtëpive. Na nxorën në fushën e varrezave në (censuruar). Atë ditë aty i kanë ndarë meshkujt, djemtë e rinj, vetëm gra, fëmijë e pleq i kanë lënë. Aty na kanë drejtuar në një lokal me i marrë disa kartonë. Na kanë bërë rresht aty, duke prit të hyjmë aty. Me të hyrë brenda, aty ka ndodhur më e keqja. Me datën (censuruar) jam takuar me bashkëshortin, ka qenë vetëm pas përfundimit të luftës. Unë prapë të njëjtën shtëpi, sepse aty e kisha familjen të vendosur. Nuk ka pasur nevojë të tregoj, se ka treguar vet pamja ime, e tmerrshme”, vijon rrëfimin ajo.

Ani pse shumë prej tyre nuk e thonë me zë, drejtësia po konsiderohet e shenjtë për të gjithë të mbijetuarit. Madje, publikisht para dy vitesh, Shyrete Tahiri-Sylejmani dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë çfarë i kishte ndodhur.

“Drejtësia për mua ka një vlerë shumë të madhe. E dimë që me drejtësi të mbijetuarit e luftës, gratë, vajzat, burrat, djemtë do ta ndjejnë vetën shumë më lehtë. Do ta gjejmë një qetësi shpirtërore, shoqërore, ku shpresoj se do të vazhdojmë të jetojmë një jetë normale. Drejtësinë na kanë obligim institucionet të gjithë neve, e ne ua kemi obligim familjeve tona, fëmijëve tanë që edhe ata ta ndjejnë vetën të qetë që është gjetur drejtësi për nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit e tyre”, shprehet ajo.

Pavarësisht dënimit, e mbijetuara e cila rrëfehet për KosovaPress, thotë se vuajtjet e shumë grave dhe burrave nga Kosova do të mbesin të pashlyera.

Ditën kur ajo u dhunua, po barte me vete dy jetë. Pas përfundimit te luftës, si shkak i gjendjes së rëndë, abortoi në muajin e shtatë.

“Atë natë më kanë dërguar te mjeku familjar, por i vetmi mjek që ka ekzistuar në (censuruar), ka qenë që ka punuar në shtëpi të vet, si ordinancë. Atje më kanë dërguar vjehrra edhe motra. Kam qenë e lënduar në trup, me gjakderdhje të madhe, gjithçka ma e keqja që mundet të ndodhë. Kam përdorur terapi dhe pas përfundimit të luftës deri në muajin e shtatë (të shtatzënisë) i kam humbur (foshnjat)”, tregon ajo për KosovaPress.

Drejtësia duket larg në tunelin e errët. Përkundër deponimit të plot dosjeve për krim ende askush nga serbët nuk është dënuar.

“Drejtësia për mua do të thotë gjithçka, që 21 vjet kërkoj drejtësi, më në fund besoj se erdh ajo ditë. Po shpresoj se ka ardhur ajo ditë sepse kam vuajtur shumë. Shumë kam vuajtur. Shumë. Por ia kam dalë me përkrahjen e bashkëshortit tim, ia kam dalë gjithçka. Sepse, edhe ai të mos ishte përkrahja ime, unë sot nuk do të isha. Sepse unë disa herë kam dashur që të bëjë vetëvrasje. Por falë Zotit dhe tij, sot jam edhe më e fortë”, thotë ajo më tej.

Përkrahjen e burrit e pati, por jo edhe të shtetit.

“Përkrahja e shtetit më ka munguar shumë, se unë menjëherë pas luftës kam dëshmuar, menjëherë pas luftës, në UNMIK. Ajo dëshmi nuk ekziston, në vitin 2010 kam dëshmuar në EULEX edhe ajo dëshmi nuk gjendet askund. Tash kam dëshmuar në gjykatën tonë, do Zoti edhe drejtësia po shkon në vend”, shpreson ajo.

Ajo është ballafaquar me gjithçka, me shumë dhimbje, mërzi dhe vuajtje. Ajo në vitin 2018 ishte intervistuar në Policinë për Krime Lufte, dëshmi ka dhënë edhe në Prokurorinë Speciale.

“Drejtësia nënkupton shërim, trajtim, jo vetëm për personin në fjalë që e ka përjetuar luftën, por edhe për familjarët e saj, për fëmijët që ua kemi borxh, por edhe shoqërinë. Ky proces ka filluar shumë herët, por fatin e ka pasur që me 21 janar të këtij viti e mbijetuara e dhunës seksuale që ka qenë pjesë trajtimit të organizatës, një person që ka përfituar tretman të vazhdueshëm në organizatë, ka arritur që suksesshëm të dëshmojë për të gjitha krimet e bërë edhe atë me data dhe me fakte se si është ushtruar ai krim në rrethana lufte dhe se si ky krim ka qenë pjesë e një arsenali të dhunës që personi në fjalë e ka ushtruar në raport me trupin e saj”, tregon ajo.

Gjatë gjithë procesit, e mbijetuara ka qenë e përkrahur nga një ekip profesional që e ka ndihmuar që ajo të jetë në gjendje të dëshmojë para trupit gjykues për krimin që ka përjetuar.

“Klienti tek ne është paraqitur qysh në vitin 2017, dhe fillimisht ne jemi fokusuar në rehabilitimin e traumës së saj. Duke i ofruar qoftë trajtim individual, por edhe grupor në mënyrë që të fuqizojmë edhe pjesën sociale të saj. Ndërsa, prej momentit kur ka filluar ngritja e aktakuzës, dhënia e deklaratës së të mbijetuarës para prokurorëve, deri tek paraqitja e të mbijetuarës dhe ballafaqimi me dhunuesin, ne kemi mbajtur seancë intensive në mënyrë që të fuqizojmë emocionalisht që ajo të ballafaqohet në mënyrën më të mirë të mundshme me dhunuesin”, tregon ajo.

Për gjendjen e saj fizike dhe psikike u dëshmua edhe në gjykatë.

“Ajo ka pasur shumë probleme somatike në boshtin kurrizor, tensionin e lartë, gjumin e çrregullt, ajo me ditë të tëra nuk flenë, plus kur ka filluar gjykimi. Ka qenë rast shumë i vështirë, kur e mbijetuara pas takimit gjyqësor me dhunuesin në gjykatë, është përkeqësuar shumë më tepër. Ajo është detyruar edhe të bëjë rezonancë magnetike, ajo ka pasur problem me boshtin kurrizor, tërë kohën ka qarë. Nuk e ka prit javën edhe ka ardhur këtu, gati çdo të dytën ditë. Ajo shumë herë ka humbur edhe vetëdijen në shtëpi”, tregon ajo për gjendjen e të mbijetuarës.

QKRMT, e cila ka dhënë mbështetje në këtë proces, shpreson që ky rast do të bëjë historinë e Republikës së Kosovës, që të jetë simbol për fuqizimin e mijëra grave dhe burrave, të cilat dhanë dëshmi, por të njëjtat mbetën në arkiva.

“Kemi të bëjmë me një person që nivelin dhe dimensionin e dhunës e ka ushtruar, e ka paguar, me trupin e vet. Këtu mund të flas më së miri viktima dhe me arrit prej një personi që kaq rëndë e ka përjetuar, që ta bëjë rast që do të vjen dhe do të ballafaqohet me gjykatën dhe ta ketë në anën e djathtë edhe dhunuesin dhe të flasë të vërtetën, mendoj që është një histori në vetvete. Fakti që është rasti i parë që po e përkrahim edhe jemi munduar që t’ia ofrojmë mundësitë maksimale të mundshme është që ajo të ndihet mirë dhe stabile. Është rasti i parë që ne shpresojmë që gjykata të marrë vendimin e drejtë dhe shpresojmë që rasti si i tillë të ngadhënjejë me drejtësinë e cila është e mohuar”, thekson ajo.

Gruaja e cila mezi rri ulur teksa flet për jetën e saj, u bën thirrje të gjitha grave që të këmbëngulin për drejtësi. Për këtë të fundit thotë se është në gjendje të dëshmojë kudo.

“Pas 20 vitesh kam shkuar me një hetuese (te vendi i dhunimit) kemi shkuar për herë të parë, u pata ndjerë shumë keq edhe ajo u ndje keq. Se unë 20 vjet asnjëherë nuk kam shkuar në atë vend, u desh aty të shkoj të dëshmoj vendin ku ka ndodhë. E di që ajo ditë ka qenë shumë e rëndë për mua, shumë. Nëse arrihet drejtësia dhe ai e merr dënimin atëherë besoj që edhe do të jem e qetë, së paku këto vjet sa më kanë mbet të jetoj e qetë, e di se dikush u dënua për këtë krim që e ka bërë”, thotë ajo.

B.K tash e dy vjet edhe ligjërisht ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shpirti i saj dhe mijëra grave dhe burrave nuk do të qetësohet derisa të gjykohen këto krime. Edhe pse, të njëjtat ende po përballen me stigmën, paragjykimet e fyerjet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img