Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka bërë një reagim pasi u përmend në videon e publikuar nga Vetëvendosje dje, ku sulmohen personat që në vitet e kaluara kanë qenë në pushtet.
Pacolli përmes një shkrimi në Facebook, tha se ata që e quajtën atë shkatërrues, në fakt sipas tij, ata janë shkatërrues vetë, pasi që thotë se partia në pushtet po i konsumon paranë e taksapaguesve.
“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?”, shkroi Pacolli.
Lideri i AKR’së ua ka listuar se çfarë ka bërë ai për Kosovën gjithë këto vite, duke filluar me nënshkrimin e pavarësisë së Kosovës, e deri tek ndihmesa për të varfërit.
“- Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.- Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …- Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.- Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz”, shkroi mes tjerash Pacolli.
Tutje, Pacolli i mllefosur tregoi se ka besuar që ky pushtet do të punojë për Kosovën, për atë thotë se edhe votoi.
“Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…
Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, shkroi Pacolli.