Është zbuluar lokacioni i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pritet të mbahet të shtunën në Ohër.
Lokacioni siç bën me dije gazetari Kushtrim Sadiku ndodhet në afërsi të Shën Naumit dhe është vendi ku mbreti Zogu kishte nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme.
Sadiku ka shtuar se Ohri është vend i marrëveshjeve dhe negociatave në historinë e tij, duke u përmendur disa prej tyre, si marrëveshjen kornizë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve më 13 gusht 2001, dhe zgjidhjen e konfliktit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në vendin ku e kam në prapavijë, është vendi ku do të bëhet takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, jemi afër Shën Naumit dhe të gjithë e mbajmë mend. Shën Naumi jo vetëm për pamjen e tij piktoreske por edhe për rëndësinë historike që ka, nëse i referohemi marrëveshjes së vjetër mes Ahmet Zogut dhe Nikolla Pashiqit, por kjo nuk lidhet aspak me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
“Jemi në Ohër, Ohrin që ka gjetur shumë marrëveshje, Ohrin që ka ditur të bashkojë kombe e shtete, e të jep shumë çka pozitive në kuadër të bashkërendimit të komuniteteve në Ballkan. E kujtojmë Ohrin e 13 gushtit 2001 të marrëveshjes kornizë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonaseve për sa i përket rregullimit kushtetues dhe dinjiteti të shqiptarëve të Maqedonisë. Së fundi e kujtojmë edhe Ohrin e zhbllokimit të raporteve të ngrira mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtu gjithçka ka ndodhur dhe këtu janë zhvilluar negociatat”, deklaroi ai.