Është paraqitur zyrtarisht kërkesa për paraburgim ndaj personit i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 6-vjeçare.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Telegrafin, se është paraqitur zyrtarisht kërkesa për paraburgim ndaj personit i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 6-vjeçare.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprës penale ‘Sulmi seksual’ dhe ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”.
“Prokuroria në koordinim me institucionet relevante, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, lidhur me këtë rast. Meqenëse në këtë rast është i përfshirë një i mitur, nuk mund të japim detaje të tjera ”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar seksualisht një femër kosovare (fëmijë)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në raport bëhet e ditur se dje ka ndodhur edhe një rast tjetër i sulmit seksual. Siç njoftoi policia, rasti tjetër ka ndodhur në Mitrovicë, ku është arrestuar një burrë pasi i njëjti me dëshirë thuhet se e ka marrë një të mitur dhe e ka dërguar në shtëpinë e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti, me dëshirë ka marr viktimën femër kosovar (të mitur) dhe ka dërguar në shtëpinë tij. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Portali Dukagjini ka siguruar dëshmi, derisa dëshmitarët (një nga të cilët – nëna e viktimës), konfrontohen me të dyshuarin./Telegrafi/