Site icon PrishtinaPress

VIDEO| Kurti premtoi shportë më të rëndë nga pesha e më të lirë nga çmimi, por ndodhi e kundërta

Që nga ardhja e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në krye të ekzekutivit, shporta e konsumatorit kosovar është bërë më e lehtë nga pesha dhe më e shtrenjtë nga çmimi.

Albin Kurti kishte premtuar 0% TVSh për bukën, miellin, vajin, sheqerin, kripën, qumështin dhe arsimin. Ai nuk e mbajti këtë premtim, por tani përveç rritjes së çmimeve të tyre, qytetarëve ua ka shtuar edhe një barrë më të rëndë: tatimi në pronë mbi 100% më i lartë.

“Për gjërat elementare ushqimore si buka, mielli, sheqeri, vaji, kripa, qumështi dhe arsimi, ne këto do t’i përjashtojmë në përgjithësi. Dhe kësisoj, shporta e konsumatorit kosovar do të jetë edhe më rëndë për nga pesha, edhe më e lirë nga çmimi.”, thoshte dikur Albin Kurti si opozitar, shkruan Demokracia.com.

As këto premtime, Albin Kurti nuk arriti t’i mbajë. Sipas statistikave, inflacioni me normën dyshifrore ka qenë problemi kryesor për ekonominë e Kosovës në vitin 2022.

Qytetarët e Kosovës u përballen me rritje enorme të çmimeve në vitin 2022. Por, duket se edhe viti 2013 do të jetë i vështirë, pasi që rritja e çmimeve tashmë ka nisur.

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe në fillim të këtij viti.

Nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2023, çmimet e produkteve kanë lëvizur.

Lëvizja e çmimeve vërehet edhe në një tabelë që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës në faqen zyrtare, shkruan Demokracia.com.

Aty figuron se janë shtrenjtuar kafja e bluar, çaji, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çaji është shtrenjtuar për 67 centë.

Sipas tabelës së ASK-së, janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uji natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë.

Ndërkohë, produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar prej 1 deri në 4 centë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në matjen e fundit ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2022, me muajin nëntor 2021, ishte 11.6% më e lartë.

Si në gjithë botën, rritja e çmimeve ka nisur nga fundi i vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

Çmimet kanë marrë hov më të madh kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Në bazë të të dhënave më të reja të Bankës Botërore, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë, nga prilli deri në korrik 2022, janë rritur për 19.2 për qind, që i bie që në këtë shkallë, 19.2 për qind, ishte edhe inflacioni për produktet ushqimore në vendin tonë.

Ndërsa, Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2 për qind më e lartë. Banka Botërore njofton më tej se që nga 11 gushti 2022, indeksi i çmimeve bujqësore është 1% më i lartë se dy javë më parë.

Çmimet e misrit dhe grurit janë 2% më të larta krahasuar me janarin 2022, ndërsa çmimet e orizit janë rreth 6% më të larta. Krahasuar me mesataren e janarit 2021, indekset e çmimeve të misrit dhe grurit janë 20% më të larta, ndërsa indeksi i çmimit të orizit është 16% më i ulët.

Paga minimale në Kosovë, nga viti 2011 është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas ASK-së, ka qenë 484 euro.

E kuletat e qytetarit të Kosovës po rëndohen çdo ditë e më shumë nga faturat, jo nga paratë, sepse pagat mbeten po aq sa ishin.

Në qeverisjen e Kurtit u shtrenjtua edhe tatimi në pronë. Rritja e vlerësimit të pronave në treg, ka rritur automatikisht pagesën e tatimit në pronë për qytetarët e Kosovës.

Vlerësimi i pronës nga MFPT-ja, sipas ligjit, realizohet në çdo tre ose pesë vjet. Vlerësimin e fundit, ministria e bëri vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind dhe për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën.

Nëse personi vonohet me pagesën e faturës, atëherë ngarkohet me gjoba. /Demokracia.com/

Exit mobile version