Site icon PrishtinaPress

Vetura e dyshimtë në ”Garibaldi”: Ngasësi, person me dëmtime mendore

Policia e Kosovës ka dalur me një raport zyrtar ku ka publikuar detaje të tjera në lidhje me veturën e dyshimtë e cila u has e parkuar në mënyrë jo të rregullt në rrugën ‘’Garibaldi’’ në Prishtinë.

Në raport thuhet se ekzaminimet kanë përfunduar dhe nuk kanë rezultuar me ndonjë gjë të dyshimtë teksa bëhet e ditur që policia ka identifikuar ngasësin e veturës; S. Z. mashkull, serb, 28 vjeç, i cili është intervistuar nga ana e policisë, njofton Klan Kosova.

‘’Në bazë të një hetimi preliminar të bërë nga ana e policisë, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga ana e ngasësit si dhe rekomandimin e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë  të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike’’.

Vetura e dyshimtë i takonte tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin Proffi Taxi me targa të republikës së Serbisë e cila  kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt.

Sipas rregullit në rastet e kundërvajtjeve të tilla kur vozitësi i veturës nuk është prezent në vendngjarje vetura konfiskohet për tu krijuar kushtet optimale të qarkullimit në trafik.

Në këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, porse pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të mara nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë.

Gjithashtu janë intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Përgjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ngjarja, policia ka koordinuar veprimet e saja me prokurorin e shtetit.

Për rrjedhojë, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës, njofton Klan Kosova.

 

Exit mobile version