Policia e Kosovës ka dalur me një raport zyrtar ku ka publikuar detaje të tjera në lidhje me veturën e dyshimtë e cila u has e parkuar në mënyrë jo të rregullt në rrugën ‘’Garibaldi’’ në Prishtinë.
Në raport thuhet se ekzaminimet kanë përfunduar dhe nuk kanë rezultuar me ndonjë gjë të dyshimtë teksa bëhet e ditur që policia ka identifikuar ngasësin e veturës; S. Z. mashkull, serb, 28 vjeç, i cili është intervistuar nga ana e policisë, njofton Klan Kosova.
‘’Në bazë të një hetimi preliminar të bërë nga ana e policisë, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga ana e ngasësit si dhe rekomandimin e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike’’.
Vetura e dyshimtë i takonte tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin Proffi Taxi me targa të republikës së Serbisë e cila kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt.
Sipas rregullit në rastet e kundërvajtjeve të tilla kur vozitësi i veturës nuk është prezent në vendngjarje vetura konfiskohet për tu krijuar kushtet optimale të qarkullimit në trafik.
Në këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, porse pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të mara nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë.
Gjithashtu janë intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.
Përgjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ngjarja, policia ka koordinuar veprimet e saja me prokurorin e shtetit.
Për rrjedhojë, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës, njofton Klan Kosova.