Site icon PrishtinaPress

Veton Elshani thotë se vendosja e kamerave në veri është për sigurinë e qytetarëve

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit, Veton Elshani, deklaroi se në bashkëpunim edhe me agjencinë për privatësi, kanë nisur që t’i vendosin kamerat e sigurisë edhe në qytetet e veriut të vendit, ku konsiderojnë që do të vendosen rreth 200 në tërësi.

“Aty ku ka mundësi që të ndodhin vepra penale, ose aty ku kanë ndodhur tashmë vepra penale, apo aty ku ka kundërvajtje e mundësi që të ketë më shumë kundërvajtje në komunikacion, aty edhe vendosen, kështu që ne kemi nisur që t’i vendosim ato”.

“Nuk kemi pasur ndonje problem gjatë vendosjes së kamerave, dhe kjo është për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Elshani në Klan Kosova.

Tutje ai shtoi se kamerat do t’i vendosin çdo kund ku e shohin të arsyeshme që ato të vendosen, dhe se kjo të vetmin qëllim e ka që policia të ketë hetime kualitative të rasteve.

“Vetëm në javën e fundit patëm dy raste ku ne i kemi identifikuar 10 persona për dy sulme, pikërisht për shkak të kamerave, të cilat nuk kishin ndonjë kualitet të madh, por sidoqoftë na kanë ndihmuar që ne t’i ndriçojmë këto raste”.

“Kjo është njëjtë sikur në Pejë, Gjilan e Prishtinë, ashtu njëjtë edhe në veri të vendit. Këto kamera janë për sigurinë e qytetarëve, për ofrimin e shërbimeve tona ndaj qytetarit dhe për hetim kualitativ të rasteve, në rast se ato ndodhin”,sqaroi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit, Veton Elshani

Exit mobile version