Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se që nga mbrëmë është vetizoluar pasi që ka qenë në të njëjtin ambient me këngëtarin nga Gjakova, Muhamet Sejdiu i cili dje rezultoi pozitiv me coronavirus.
Haziri përmes një postimi në Facebook ka shkruar se u ka kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.
Postimi i plotë:
Të dashur qyetarë,
Komuna e Gjilanit prej 22 shkurtit ka ndërmarrë veprimet konkrete për parandalimin e #Covid-19.
Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus.
Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor.
Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.
Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete.
Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi.
Ju përqafoj shumë!