Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në seancën e Kuvendit tha se Qeveria nuk duhet të pret nga opozita që të sigurohen votat për ta kaluar Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Sipas tij, koalicionit qeverisës i duhen vetëm 31 vota nga 61 për ta kaluar këtë Projektligj.
“Numrat për ta votuar një Projektligj i keni, duhet t’i keni, nëse nuk i keni numrat për ta kaluar këtë, atëherë nuk i keni as për Qeveri. Qytetarët duhet ta dinë se për çfarë bëhet fjalë. Sepse kam përshtypjen se thirrja për ta votuar këtë Projektligj është më tepër për ta keq informuar qytetarin për situatën. Vetëm 31 vota nga 61 vota që duhet t’i ketë koalicioni, ka nevojë të kaloj ky Projektligj, pra vetëm 31 vota i duhen Qeverisë nga 61 që i ka, që do të duhej t’i kishte edhe prezent, nevojiten për ta kaluar këtë Projektligj. Këto 61 vota i gjetet për vete, e për qytetaret nuk po i gjeni. E keni mazhorancën e keni Qeverinë, atëherë kalojeni. Nga opozita nuk duhet t’i bëni që t’i bëni 31 vota nga 61”, tha Selimi.
Kujtojmë se në mungesë të kuorumit, deputetët e Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.