Këto janë fjalimet që janë mbajtur sot nga Shemsi Elezi dhe këshilltari Sokol Bylykbashi.
Fjala e kryetarit Shemsi Elezi
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit u shpallen pasi që Gjykata e Apelit ia vërtetojë dënimin grupit “Drenica 2”, ku bënte pjesë edhe ish – kryetari i Komunës tonë, Nexhat Demaku. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shpreh mospajtim ndaj dënimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilet kanë dhënë kontribut të çmuar në mbrojtjen dhe çlirimin e vendit tonë.
Pas konsultimeve që i kemi bërë me anëtarësinë dhe strukturat tona, kemi marrë vendim që të mos jemi pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, sepse nuk duam të përfitojmë politikisht nga një dënim i padrejtë gjyqësor. Ne nuk e mbështesim asnjë kandidat të subjektëve tjera, ngase mendojmë se asnjëri nga ta nuk mundën të bëjnë ndyshime pozitive. Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen për të përfunduar mandatin e kryetarit, që mund te jetë vetëm disa muajsh. Përveç kësaj, përbërja e Kuvendit Komunal, si organi më i lartë nuk do të ndryshoj. Për më tepër, buxheti për pjesën e mbetur të mandatit është miratuar dhe gjasat që të ndryshohet janë tepër të vogla.
Fjala e këshilltarit Sokol Bylykbashi
Lëvizja VETËVENDOSJE! është e interesuar që të bëj ndryshime substanciale në qeverisje, në mënyrë që të kemi mirëqenie për të gjithë pa dallim. Siç dihet, Komuna e jonë është keq-qeverisur në vazhdimësi nga Partia Demokratike e Kosovës, si pasojë kemi një gjendje të rëndë sociale, ekonomike dhe infrastrukturore. Edhe sektori i shëndetësisë dhe arsimit ballafaqohen me probleme të medha kronike që po e bëjnë jetën e qytetarëve të padurueshme.
Përkrahja për Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas po rritet çdo ditë e më shumë, bashkë me shpresen e qytetarëve për një jetë më të mirë. Në këtë kohë jemi duke i forcuar strukturat tona organizative me njërez të grup moshave të ndryshme, profesioneve të ndryshme, që vijnë nga vendbanimet e ndryshme. Ne jemi të bindur se në zgjedhje e rregullta komunale që do të mbahen vitin e ardhshëm do ta dërgojmë në opozitë Partin Demokratike, dhe kësisoj do të vie në shprehje realizimi i alternativës tonë qeverisëse që e kemi proklamuar që një kohë të gjatë.
Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje të Qendrës së Drenasit, Shemsi Elezi ka bërë të ditur se ky subjekt nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, sepse sipas tij, ata nuk duan të përfitojmë politikisht nga një dënim i padrejtë gjyqësor si ai i rastit “Drenica”.