Muaji qershor është dhënë si afat optimal për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por tashmë afatet ligjore e pamundësojnë një gjë të tillë.
Përkundër kësaj, në Lëvizje Vetëvendosje këmbëngulin që qytetarët të dalin në kutitë e votimit brenda 45 ditëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që siç thonë do të jetë në favor të tyre. Ndërsa, mbajtjen e zgjedhjeve të reja e kundërshtojnë dy partitë që po pretendojnë të formojnë qeverinë, LDK-ja dhe AAK-ja.
Kurse, njohësit e sistemit zgjedhor e japin muajin korrik si mundësi për zgjedhje të reja, nëse Kushtetuesja e rrëzon dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë pas rrezikut nga pandemia COVID-19.
“Ne e kemi përmendur si muajin më të përshtatshëm muajin qershor, por kjo nuk mundet të ndodhë për faktin se sipas legjislacionit të kushtetues, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë. Në këtë drejtim kemi thënë se duhet të mbahen sa më parë që është e mundshme pas rrezikut nga pandemia COVID-19”, thotë ajo.
Kundër zgjedhjeve të reja u shpreh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve në këtë kohë është tepër luksoze.
“Duke pasur parasysh mos realizimin e rekomandimeve të BE-së për sistemin zgjedhor, duke pasur parasysh pandeminë, duke pasur parasysh gjendjen sociale që është duke rënduar në kohë pandemie. Efekti i pandemisë në ekonomi, kosto buxhetore të zgjedhjeve, është tepër luksoze me kërkuar, me dalë njerëzit në zgjedhje të një lideri apo partie politike”, thotë ai.
Në linjë të njëjtë me Hazirin u shpreh edhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, partitë e të cilëve po mëtojnë të formojnë qeverinë e ardhshme.