Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 69 vota për kanë miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, shkruan Insajderi.
Si rrallëherë më parë, shumica parlamentare e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe minoritetet, nuk mori parasysh pothuajse asnjë amandamentim të propozuar nga opozita gjatë rishikimit të buxhetit për vitin 2021.
Vetëm një amadament i propozuar nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, e cila propozoi që për projektin “Ndërtimi i Çerdhes për fëmijë në Skënderaj” të shtohen edhe 50 mijë euro të tjera, pasi ishin planifikuar vetëm 80 mijë, mori mbështetjen e shumicës, teksa amendamenti i deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, i plotësuar dhe ndryshuar nga komisioni për Buxhet që fliste për nisjet e ndërtimit të një shkolle në fshatin Samadrexhë në Suharekë, nuk kaloi në tërsi.
Të gjitha amadamentet tjera të propozuar nga opozita u refuzuan, dhe për këtë arsye partitë opozitare nuk morën pjesë në vendimmarrje.
Vetë Deliu-Kodra, tha se po propozonte amandamentin për çerdhen në Skënderaj, duke mos pritur që ai të kalonte, pasi asnjë amandament tjetër i opozitës nuk mori mbështetjen e deputetëve të shumicës. Por, çuditërisht, deputetët e Vetëvendosjes i ngritën duartë dhe votuan pro.