Rruga e Veterrnikut në Prishtinë, gjithherë ka qenë e rrezikshme për këmbësorët. Por, me ndërtimin e qendrës tregtare Albi Mall, rreziku për aksidente me vdekje e me të lënduar është rritur dukshëm.
Kjo po ndodhë për shkak të mungesës së mbikalimeve. Qytetarët detyrohen që të kalojnë dy korsi të rrugës kryesore për të dalë tek pjesa tjetër.
Rasti i fundit ndodhi të premten, ku një këmbësor u godit për vdekje gjatë mesditës, pikërisht në këtë pjesë të rrugës.]
Por përkundër kësaj, qytetarët vazhdojnë ta rrezikojnë jetën e tyre.
Disa video që janë publikuar tek faqja “Vrojtuesit e Lagjes”, shihen sërish këmbësorët teksa duke vrapuar e kalojnë rrugën.
Lidhur me këtë, dhjetëra qytetarë kanë reaguar në rrjetet sociale. Ata po kërkojnë që të ndërmerren masa për ta rregulluar këtë problem.
Një pjesë tjetër e tyre, hedhin kritika ndaj ngasësve të veturave, për të cilët thonë se e tejkalojnë shpejtësinë, duke i thyer rregullat në komunikacion, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, në maj të vitit 2020, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pati nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e atëhershëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Objekt i këtij memorandumi ishte realizimi i tri projekteve infrastrukturore, mes tyre edhe ai për ndërtimin e mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik.
Madje, për realizimin e projektit u pat hapur edhe një tender.
Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thuhej se ky ndërtim do të kushtojë mbi 1 milion euro.
Shuma e planifikuar për këtë kontratë ishte saktësisht 1 milion e 200 mijë euro.
Ndërsa, financuese e këtij projekti dhe dy të tjerëve të nënshkruar mes Ahmetit dhe Abdixhikut, do të ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit me 1 milion e 500 mijë euro.
Megjithatë, ndonëse kanë kaluar gati dy vjet, punimet për ndërtimin e këtij mbikalimi ende nuk kanë nisur.
Tani, mbetet të shihet, nëse komuna do të ndërmarr masa për ta zgjidhur këtë problem.