Për shkak se kishte një borxh prej 950 euro për faturat e rrymës, të martën është arrestuar veterani i UÇK-së, Besim Musa nga Mitrovica. Ai më pas është liruar pasi borxhin e tij e ka paguar një qytetar. Veterani i luftës thotë se jeton vetëm me 170 euro në muaj dhe nuk ka mundësi ta paguajë rrymës, për çka thotë se ka kërkuar që t’i mundësohet pagesa me këste, por që një gjë e tillë nuk i ishte mundësuar.
Katër orë të së martës, veterani i luftës, Besim Musa nga Mitrovica, i ka kaluar prapa grilave.
Qysh në mëngjes, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, teksa ishte duke fjetur në shtëpi, ku ndodheshin gruaja dhe fëmijët e tij.
Prangosja e veteranit është bërë për shkak të një borxhi prej 950 eurosh që ka mbetur i papaguar për faturat e rrymës.
Musa ka treguar për Kanal10 se ai merr pension të veteranit prej vetëm 170 eurosh në muaj dhe ka qenë e pamundur pagesa për shpenzimit e energjisë, pasi që me këto mjete mban familjen e tij pesë anëtarëshe.
Ai thotë se kishte kërkuar nga gjykata që t’i mundësohet pagesa me këste, por një gjë e tillë i ishte refuzuar.
Por, pas katër orësh të mbajtjes së tij në ndalim, ai është liruar, pasi disa qytetarë vullnetmirë ia kanë paguar shumën e borxhit për faturat e rrymës.
Lendrit Misini thotë se ka qenë shumë e vështirë kur e ka kuptuar që një veteran i luftës është arrestuar për shkak të faturës së rrymës, prandaj ka vendosur që atij t’ia shlyejë këtë borxh.
Kanal10 ka provuar gjatë ditës të marr një sqarim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, por një gjë të tillë nuk e ka arritur për shkak se kanë thënë se janë në fund të orarit të punës.