-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Veteranët akuzojnë ekzekutivin se po rri duarkryq karshi sulmeve të Serbisë ndaj UÇK’së

Ish-gjenerali i UÇK-së, Imri Ilazi, është ndaluar të shtunën nga autoritet policore të Turqisë, si pasojë e një liste të re që Serbia ka dërguar në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili apeloi te të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së që këto ditë t’i shmangin udhëtimet jashtë Kosovës.

Pak orë më pas, Gucati ka reaguar sërish, por kësaj radhe për të njoftuar se ish-komandanti i UÇK-së, Imri Ilazi, është liruar nga autoritetet turke. Për këtë ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Brendshme, si dhe Ambasadën e Kosovës në Turqi, raporton KTV.

Këtë rast e ka dënuar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, e cila ka theksuar se raste të tilla duhet të jenë reflektim për Kosovën që mos të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë derisa ajo të vazhdojë t’i përditësojë fletarrestet ndaj ushtarëve të UÇK-së.

“Serbia, si palë agresore, që nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që vranë, masakruan, dhunuan, shkatërruan e vodhën gjithçka, NUK do të duhej të ketë mundësinë të ulej në tavolinën dialoguese përballë Kosovës, përderisa përditëson fletarrestet politike ndaj luftëtarëve çlirimtarë që mbrojtën pragun e shtëpisë”, ka thënë ajo.

Se është ndaluar për shkak se emri i tij figuron në një listë të INTERPOL, e ka konfirmuar edhe vetë Imri Ilazi.

Ndërkohë, ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së e akuzojnë ekzekutivin kosovar se po qëndron duarkryq karshi sulmeve të Serbisë kundrejt UÇK-së. Ish-komandanti Shukri Buja thotë se dialogu me Serbinë është i pakuptimtë nëse nuk ndalen sulmet e saj diplomatike kundrejt Kosovës.

Ai po ashtu thotë se institucionet vendore do duhej t’u kërkonin vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që mos ta njohin listën e INTERPOL-it, që ka për qëllim ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se situata të tilla të persekutimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së vijnë si rezultat i mosefikasitetit të duhur të institucioneve kosovare, të cilat, sipas tij, qe disa vite dështuan që ta anëtarësojnë vendin në INTERPOL.

Mospasja e mundësisë që këto fletarrestime të shpallen të pavlefshme, sipas Ibishit, po shfrytëzohet nga Serbia, e cila tashmë disa herë ka përditësuar listat me emrat e ish-veteranëve të UÇK-së.

Ndërkohë, situatë të njëjtë pati edhe javën e kaluar kur ish-luftëtari i UÇK-së, Murtez Kastrati, u ndalua nga autoritet policore të Shqipërisë. Ndonëse një gjë e tillë u mohua nga Policia Shqiptare, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, kishte njoftuar se për këtë rast kishte kontaktuar homologun e saj, Gent Cakaj, i cili, sipas saj, veproi me efikasitet dhe mundësoi lirimin e Kastratit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img