Site icon PrishtinaPress

Vetëm edhe nesër afat për pagesën e tatimit në pronë, gjoba e interes për ata që s’paguajnë

Qytetarët kanë afat vetëm edhe nesër që ta kryejnë pagësën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023.

Ata që s’e paguajnë do të përballen me masa ndëshkimore. Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

Nesër përfundon afati ligjor për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë. Për këstin e dytë, kanë kohë deri në fund të shtatorit.

Qyetetarët tashmë janë paralajmëruar që të kryejnë pagesat, që të mos përballen me masa ndëshkimore. Këtë vit, faturat e tatimit në pronë do të jenë më të shtrenjta, meqë është bërë rivlerësimi i pronave nga ana e Ministrisë së Financave.

“Edhe pak ditë kanë mbetur për të paguar këstin e parë. Të gjithë tatimpaguesit që ende nuk e kanë kryer obligimin e tyre, mund ta kryejnë pagesën deri më 30 Prill 2023. Duke kryer me kohë obligimet tuaja, ju nuk do të paguani gjoba në shumën 10% të këstit të parë dhe interes prej 0.65% në muaj”, është njoftimi që ka lëshuar Departamenti i Tatimit në Pronë.

Në rast të mospagesës, për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.

E ata që që paguajnë do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, që parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023.

Për qytetarët që tashmë e kanë paguar faturën, shuma e falur do t’ju llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

“Në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.”

Aty sqarohet edhe se falja tatimore zbatohet vetëm për këtë vit.

“Zbatimi i këtij kapitulli mbetet përgjegjësi e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës”, thuhet në projektligj.

Ky projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Ndryshe, nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.

Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.

Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

 

Exit mobile version