Veseli viziton lagjet e Prishtinës – diskuton me banorët për legalizimin e shtëpive dhe banesave të tyre

56
Advertisement

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar të shtunën disa lagje të Prishtinës për të shpalosur para qytetarëve për projektin e tij për legalizimin e 350 mijë shtëpive e banesave që ende nuk kanë leje e fleta poseduese, duke e mbajtur kështu të bllokuar kapitalin e qytetarëve që arrin në rreth 10 miliard euro.

Advertisement

Gjatë vizitës që i bëri lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë, kreu i PDK-së u njoh nga banorët me problemet e shumta që u janë shkaktuar deri tani nga pamundësia e legalizimit të pronave të tyre, ndërsa i kanë treguar se ato nuk mund t’i përdorin as për kredi hipotekare por as për ndonjë gjë tjetër.

Veseli tha se brenda dy viteve të qeverisjes së tij do të legalizohen të gjitha ndërtimet të cilat nuk e cenojnë pronën publike, me vetëm 1 euro për metër katror, ndërsa me këtë buxhet ai tha se do të investohet në kushtet përcjellëse të banimeve, si në kanalizime, ujësjellës dhe gjelbërim të lagjeve.

“Janë 350 mijë ndërtime në gjithë Kosovën të cilat presin legalizimin. Janë diku rreth 10 miliardë euro të cilat janë të bllokuara, të cilat janë burim konflikti, burim i korrupsionit dhe nuk i sjellin asgjë të mirë Kosovës. Kjo traditë e ndërtimeve pa leje ka qenë që nga koha e pushtuesit serb. Por tani jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe ka ardhur koha ti jepet fund kësaj pjese. Do të legalizohen të gjitha pronat që janë për tu legalizuar, pra rreth 99 përqind. Por përjashtim do të bëjnë pronat e të fortëve të cilët kanë ndërtuar ku kanë dashur dhe në prona publike e në mes të rrugës, atyre nuk do t’u legalizohen”, tha Veseli.

Pas vizitës në lagjen Kodra e Trimave, kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi lagjen në Rrugën B në Prishtinë ku jetojnë mijëra banorë të cilët kanë blerë banesat e tyre por të cilat nuk kanë fleta poseduese dhe nuk mund t’i shfrytëzojnë ende për asgjë, jashtë banimit.

Gjatë ecjes në këtë lagje, Veseli takoi edhe arkitektë e inxhinierë me përvojë pune, të cilët i treguan për degradimin urban që është bërë në Prishtinë nga mos kontrolli i Komunës gjatë ndërtimeve, duke mos lënë askund hapësira të gjelbra për rekreacion, kënde për lodra fëmijësh, për pensionistë dhe ambient publik për qytetarët.

Veseli tha se në qeverisjen e tij brenda më pak se dy vitesh të gjithë qytetarët do të pajisen me fletat poseduese të banesave dhe shtëpive të tyre, ndërsa për procesin e legalizimit ai tha se do të angazhohen të gjitha institucionet përkatëse dhe arkitektë e inxhinierë me përvojë urbanistike.

PostAdssFotoja e reklamës