Veseli tha se tashmë në Ferronikel është një investitor serioz, i cili në një afat rekord ka arritur të riaktivizojë prodhimin dhe t’i paguaj pagesat e punëtorëve, të cilët mbajnë afër një mijë familje, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të kryeparlamentarit.
“Institucionet e Kosovës do t’u japin përkrahje të vazhdueshme investitorëve. Kemi projektligjin e ri në shqyrtim, i cili do t’u japë perspektivë edhe më të madhe atyre. Janë burime të cilat presin, sikurse krenaria e Kosovës, Trepça, e cila me ligjin e ri do të ketë një transformim dhe do të ndikojë në rritjen e eksportit, të ekonomisë kosovare, punësimit dhe të perspektivës së Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.
Veseli tha se përkrahja për Manaj dhe gjithë investitorët që investojnë në Kosovë do të jetë e plotë.
“Ftoj investitorët e tjerë që të investojnë në Kosovën tonë, në energji, miniera, prodhim, shërbime etj., ngase Kosova është një vend i lirë, me ligje stimuluese për investitorë“, tha ai.
Kreu i Kuvendit foli fjalë miradie për investitorin e ri të Ferronikelit, të cilin e konsideroi njërin nga investitorët më të mëdhenj në hapësirat shqiptare dhe më tej.
“Të gjithë janë të kënaqur që fabrika e Ferronikelit është rikthyer në punë me kapacitet të plotë të prodhimit, si dhe me investimet e bëra nga investitori i ri, Grupi Balfin. Institucionet tona do të vazhdojnë të japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve operative dhe prodhuese të kësaj fabrike”, theksoi Veseli.
Pronari i ri i Ferronikelit, Samir Mane, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen e tij.
Mane theksoi se Grupi Balfin do të vazhdojë t’i japë përkrahje të fuqishme kompanisë së sapozotëruar prej tij, NewCo Ferronikelit.
“Do të ofroj përkrahje të plotë për Ferronikelin, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, theksoi Mane.