Site icon PrishtinaPress

Veseli: Uzurpimet do të marrin fund

Kadri Veseli thotë se është i vendosur për ta çuar deri në fund aksionin e nisur për lirimin e pronave publike, njësoj siç pohon të jetë këmbëngulës për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai siguron se do të jetë i pamëshirshëm në këtë pikë, i bindur se shteti ndryshe nuk do të mund të zhvillohet.

Nëse ligji tregon se një person ka keqpërdorur paratë e shtetit, Veseli thotë se PDK nuk do të jetë mburojë e tij.

“Unë e shoh Partinë Demokratike të Kosovës si shtëpi e njerëzve patriotë, e jo si shtëpi të  keqpërdoruesve”, shprehet ai.

Lideri i PDK-së, në intervistë për lajmi.net, flet kështu për idenë që ka për reformat në partinë e tij, si dhe për synimet e tij politike.

Lajmi.net: Z. Veseli, pobëhet afërisht një vit qysh se keni marrë udhëheqjen e PDK-së. Ndërkohë, ende nuk kemi parë ndonjë hap të madh në reformimin e partisë. Çfarë mund të presim nga ju?

Veseli: Të gjitha strukturat partiake kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, me përkushtim të jashtëzakonshëm.Natyrisht, çdo organizatë ka nevojë për reformë dhe vetë aktivistët dhe anëtarësia e PDK-së kanë kërkuar nga unë që të bëj reformë.

Sapo jam zgjedhur kryetar i PDK-së, menjëherë kam krijuar Institutin për Studime Politike të PDK-së. Ky Institut, pos tjerash, është hapësirë për gjeneratat e reja të politikanëve, të cilët do të mund të merrnin vetë përgjegjësi në vendimmarrjen politike.Dialogu i brendshëm, ristrukturimi i disa degëve, trajnime për rininë së bashku me NDI, si dhe rritja e përqindjes së pjesëmarrjes së grave në Kryesinë e PDK-së, në qendër dhe në të gjitha degët.

Prandaj, kjo reformë do t’i shërbejë jo vetëm PDK-së, por edhe shtetit të Kosovës. Ngase duke krijuar hapësira për kuadro të reja, për figura që gëzojnë një pranueshmëri të pëlqyeshme publike, por edhe duke e ruajtur edhe identitetin historik, ne krijojmë një miks të shkëlqyeshëm që do ta zhvillojë Kosovën për dekadën e ardhshme

PDK është e njohur për reformat e veta. Sa herë kemi bërë reformë, përfitim ka pasur e gjithë Kosova.

PDK vjen me një frymë dhe dinamikë pune unike, që e dallon nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Jemi parti e veprimit dhe projekteve të mëdha. Unë e kuptoj se, sa herë që na sheh në koalicion qeverisës, populli pret nga PDK shumë. Dhe, unë jam duke punuar intensivisht që PDK ta ketë një platformë që u përgjigjet nevojave të qytetarëve për investime më të mëdha, po flas si Kryetar i partisë më të madhe në vend, i obliguar nga votat e qytetarëve.

Lajmi.net: Kjo reformë në PDK, a nënkupton po ashtu edhe pastrim të partisë?

Veseli: Jemi të vendosur për ta pastruar partinë nga ata që kanë mundur ta keqpërdorin emrin e PDK-së, në çfarëdo forme. Nëse ligji tregon se një person ka keqpërdorur paratë e shtetit, PDK nuk do të jetë mburojë e tij. Unë e shoh PDK-në si shtëpi e njerëzve patriotë dhe jo shtëpi e keqpërdoruesve. Unë asnjëherë s’do të lejoj as njollosjen e emrit të PDK-së për përfitime personale.

Thërras edhe tash të gjithë kuadrot që dëshirojnë të marrin përgjegjësi për zhvillimin e vendit, t’i bashkohen vizionit të PDK-së – si një subjekt politik që merr vendime të mëdha në dobi të vendit.

Lajmi.net: Ju keni përmendur barazinë gjinore, si pjesë të madhe të reformës në PDK. Si e shihni këtë proces?

Veseli: Po, një nga pjesët e rëndësishme të reformës në PDK, për të cilën kam investuar dhe do të investoj, është fuqizimi i gruas.

Si Kryetar i PDK-së, kam marrë iniciativë për fuqizimin e rolit të gruas dhe tashmë PDK ka mbi 40 për qind të Kryesisë të përbërë nga gratë. Kjo përqindje do të rritet jo vetëm në Kryesinë e partisë, por në të gjitha strukturat.

Deri në fund të janarit të gjitha degët e PDK-së do ta kenë të plotësuar numrin e grave në 40 për qind.

Barazia gjinore nuk duhet ta lëmë si një temë tabu. Secili duhet të punojmë, në familjet tona, secili aty ku mundemi. Nuk është që veç një ligj e rregullon këtë punë. Por, është vullneti ynë si shoqëri për ta ndryshuar kulturën që e ka dekurajuar dhe penguar rolin e gruas në shoqëri.

Kam një porosi edhe për gratë: Të gjitha gratë në Kosovë duhet që të marrin rol aktiv në komunitetet ku jetojnë. Jo vetëm në politikë. Por, edhe në shoqëri civile, në biznese, gratë kosovare duhet të edukojnë me vepra, si gjeneratat e tashme, por edhe ato të ardhme, se ato janë të gatshme t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë.  Një shoqëri jo e balancuar në aspektin gjinor, s’do të shohë zhvillim.

Lajmi.net: Testi juaj i parë, si kryetar i PDK-së, ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Drenasit. Ato janë interpretuar në dy mënyra: Nga PDK, si fitore, ndërsa nga Opozita si humbje…

Veseli: Nuk ka pasur asnjë dilemë që Drenasi do të fitohej nga PDK. Dhe, nuk ka interpretim tjetrës përveç atij të fitores.

Zgjedhjet treguan për një qytet me kulturë të lartë demokratike. Asnjë incident, asnjë ankesë zyrtare për procesin e votimit dhe numërimit të votave.

Drenasi tregoi unitetin e PDK-së dhe hapi rrugë për fitore të reja jo vetëm në Drenas.

Lajmi.net: Mirëpo, PDK u ballafaqua për herë të parë me balotazhin në Drenas. Kjo është quajtur “humbje” për ju dhe “fitore” për opozitën…

Veseli: Është e vërtetë që Drenasi për herë të parë u ballafaqua me balotazhin, por jo pse votat e PDK-së shkuan te partitë tjera. Për shkak të rrethanave të cilat e çuan Drenasin në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar Komune, qytetarët kanë hezituar të dalin. Po ashtu, nuk e mohoj as një dozë pakënaqësie të qytetarëve.

Në raundin e dytë kemi marrë po aq vota sa kemi marrë para tre vjetësh. Dhe, kësaj radhe, mos të harrojmë, Ramiz Lladrovci nuk garonte vetëm përballë një partie, por përballë të gjitha partive opozitare që u bashkuan në koalicion. Ka qenë një garë “një kundër të gjithëve”. Por, PDK i pat qytetarët e Drenasit pas vetes dhe ai ishte i vetmi koalicion që na duhej.

Lajmi.net: Megjithatë, a mund të thuhet se Drenasi nuk është më bastion i PDK-së, për faktin se kësaj radhe nuk u fitua lehtësisht?

Veseli: Qytetarët treguan se Drenasi ishte ai që ka qenë – bastion i PDK-së. Nëse me 64 për qind të votave nuk mund të quhet bastion, nuk di si mund të quhet ndryshe.

Lajmi.net: Le t’u kthehemi reformave në PDK. Një ndër problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohet PDK, si parti që ka qenë në pushtet për një dekadë, është se asaj i faturohen edhe zhvillimet negative në vend, përpos atyre pozitive. Cila është lufta juaj kundër korrupsionit?

Veseli: Korrupsioni duhet të luftohet me tërë fuqinë. Jo vetëm si kusht që na është vënë nga BE për liberalizimin e vizave. Por, ne duhet ta çrrënjosim si “kulturë”, si “mënyrë e të jetuarit”. Jo vetëm korrupsionin, por edhe krimin e organizuar dhe nepotizmin. Në të kundërtën, vendi nuk mund të zhvillohet.

Pra, ne duhet ta luftojmë kulturën korruptive, sepse krim bëjnë edhe ata që japin ryshfet, jo vetëm ata që marrin. Korrupsioni ka dy anë, palën që merr ryshfet ose zyrtarët, por edhe dhe palën që jep.

Lufta kundër korrupsionitduhet të bazohet në rritjen e efikasitetit, në rritjen e vendosmërisë për luftimin e tij, si dhe në fuqizimin e kornizës ligjore dhe mbylljen e zbrazëtirave ligjore që lënë hapësirë për keqpërdorime.

Ne kemi bërë veprime konkrete. Kemi filluar me legjislacionin si bazament për gjithçka.

Ne jemi duke e plotësuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, me theks të veçantë në dispozitat që fuqizojnë luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera negative,

Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve të veprave penale është proceduar në Kuvend. Ky Projektligj e lufton kulturën e mos-ndëshkimit. Është Ligj që specifikisht është kërkuar nga Zëvendëspresidenti Biden, e po ashtu edhe nga Komisionit Europian, ndërsa është përmendur si kritikë edhe në Raportin e Progresit.

Projektligji për parandalimin e konflikt interesit është proceduar në Kuvend. Të emëruarit publikë nuk mund të fshihen më pas detyrave të tyre, por janë të definuara qartë përgjegjësitë e një personi  dhe kur përbën konflikt interesi.

Të gjitha këto Ligje kanë për synim adresimin për llogaridhënien për drejtësi në Gjykata dhe Prokurori.

Unë i kam propozuar disa herë edhe opozitës ndërmarrjen e një nisme legjislative për hartimin e një ligji të pastërtisë së figurës publike, me të cilin do t’iu pamundësohej të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, që të kandidojnë për detyra të larta shtetërore. Nëse opozita është e interesuar që ta shërojmë së bashku plagën e korrupsionit dhe jo vetëm të propagandojë, atëherë le ta mbështes një nismë për t’i larguar nga jeta publike individët që kanë kryer korrupsion apo që kanë pasur lidhje me krimin. Me anë të kësaj nisme, mund të kërkojmë edhe një kontroll të kujdesshëm dhe kritik për çdo individ përpara se të kandidojë për një detyrë të rëndësishme shtetërore.

Pjesë e filozofisë sime si Kryetar i PDK-së është edhe derregullimi, përmes të cilit mendoj se lëmë sa më pak autoritet në dorë të vendimit të qeveritarëve ose burokratëve, në mënyrë që mos ta përdorin autoritetin për të bërë presion e siguruar ryshfete. Me derregullim, nënkuptohet edhe thjeshtimi i procedurave, minimizimi i hallkave burokratike dhe heqja e barrierave ligjore të panevojshme. Pra, derregullimi faktikisht ul korrupsionin nëpërmjet mbylljes së rrugëve ose hapësirave për të bërë korrupsion.

Lajmi.net: Ju keni mbështetur luftën kundër uzurpimeve. A do të shohim të tjera aksione në këtë drejtim?

Veseli: Siç e dini, Agjencia Kosovare e Privatizimit, në shkurt të këtij viti, të kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana ime, pas takimeve të njëpasnjëshme që kam pasur me drejtuesit e kësaj agjencie, ka publikuar një listë të uzurpatorëve të pronave të privatizuara dhe publike, nga viti 1999 e deri më sot.

Unë kam iniciuar dhe mbështetur nismën për lirimin e pronave të uzurpuara. E kam përcjell nga afër këtë proces. Kemi parë zhvillime pozitive në këtë drejtim. Edhe prej këtu, inkurajoj institucionet e drejtësisë që ta vazhdojnë këtë punë, madje me intensitet edhe më të lartë.

Duhet të marrë fund ky pushtim i pronave publike. Njerëzit duhet ta dinë që ata nuk mund të jenë zot dhe as sipër ligjit. Dhe, mendoj se ky mesazh tashmë është dhënë.

Pra, ky është vetëm një hap i parë inkurajues në drejtim të transparencës së plotë të privatizimit në Kosovë, i cili duhet të pasohet nga hapa të tjerë.

Edhe një herë, fitoj edhe mediat, shoqërinë civile, mekanizmat e sundimit të ligjit, qytetarët, që të japin kontributin e tyre në këtë proces të transparencës.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë me emër dhe mbiemër se kush ka privatizuar në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve, por edhe se kush janë uzurpatorët dhe përfituesit e paligjshëm në Kosovë.

Exit mobile version