Kryeparlamentari Kadri Veseli pak orë para se të nisë seanca ku do të diskutohet për krimet e Serbisë në Kosovë dhe ideja për ngritjen e një Tribunali që do t’i gjykonte ato ka vizituar lokacionin ku ruhen eksponatet e rrobave të mijëra qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit.
Ai ka përdorur fjalën “Holokaust” ndërsa ka thënë se do të ishte e pafalshme nëse ndërkombëtarët nuk e përkrahin iniciativën e tij për ngritjen e Tribunalit.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga drejtori i Institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka vizituar sot vendin ku po ruhen eksponatet e rrobave të mijëra qytetarëve civilë shqiptarë të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.
Në përpjekje për ta shtyrë me tej idenë e tij për Tribunalin, Veseli ka parë nga afër rrobat e fëmijëve të vegjël të vrarë, rrobat e vajzave të masakruara dhe rrobat e të moshuarve deri në 106 vjeç të cilët janë vrarë e masakruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka bërë edhe një krahasim me vrasjen e 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore duke përdorur fjalën Holokaust për vrasjen e mijëra shqiptarëve gjatë viteve ’90-të nga Serbia.
“Më askush nuk guxon të na e bëjë atë që na e ka bërë. Dhe drejtësia do të ndodhë. Në Jerusalem, në Muzeun e Yad Vashemit, është një pirg i madh me flokë të viktimave. Nëse shkoni në Poklek, aty do t’i gjeni 56 persona në një varr. Ky është Holokausti. Do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah iniciativën për tribunal ndërkombëtar për Serbinë. Për aq sa ka njerëz mbi këtë tokë, dritë dhe diell, do të ketë edhe drejtësi dhe tribunal për gjenocidin serb”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se të gjitha këto rroba të mijëra civilëve të vrarë nga forcat serbe, do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit i cili do të ndërtohet në Prishtinë.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, “ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për iniciativën për Muzeun e Gjenocidit ndërsa theksoi se janë në dispozicion të mbështetjes dhe dorëzimit tē të gjitha artefakteve dhe dëshmive që ekzistojnë për zbardhjen e fatit të gjithë civilëve të vrarë nga forcat serbe në Kosovë”.