Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për përplasjen në Facebook mes Ramiz Lladrovcit dhe Jakup Krasniqit.
“Nuk e kam pranuar e as nuk do ta pranoj për luftë politike gjuhën e urrejtjes. Në asnjë moment nuk ka pas gjatë tubimeve në Drenas gjuhë fyese për Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin e Isa Xhemajlajn”, ka thënë Veseli.
Për fjalët që kanë folur të tjerët për Lladrovcin, Veseli ka thënë se e kanë prekur shumë familjen e Lladrovcit.
“E kanë prekur shumë Ramiz Lladrovcin, sidomos familjen. Nuk ka më rëndë se baba e nana e Ramiz Lladrovcit me dëgju diçka të tillë. Nuk është e mirë as kjo që po e bën as Ramizi. Nuk mund të futemi në diçka se nuk është tu na bë nder as atyre e as neve. Ajo që do duhej të ishte fokusi i Lladrovcit është detyra që e ka si kryetar i Drenasit”, ka shtuar Veseli.
Këto debate mes ish-ushtarëve të UÇK-së, ai ka thënë se janë ego të pasluftës nga dëshira për pushtet.
“Pse të mos themi më shumë që janë ego të pasluftës se koha e luftës ka qenë aq e shenjtë e aq e ëmbël në kuptim e dhembjes së humbjes së bashkëluftëtarëve. Ka ego aq të madhe që vjen nga dëshira e madhe për pushtet”, tha Veseli.