Kryetari i Kuvendit te Kosovës Kadri Veseli ka përkujtuar tre dëshmorët e rënë me 7 prill 1999, Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala.
Ai në postimin e tij në facebook ka shkruar:
Sa herë që vjen 7 prilli gjej rastin të kthehem në familjen Demaku të Abrisë. Në konakun e bacës Haxhi e gjej po atë mikpritje që gjeta në ditët e vështira të pranverës 1999. Me 7 prill të atij viti kur mijëra ushtarë serb mësyen Drenicën, të gjithë djemtë e bacës Haxhi ishin në vijat e frontit. Atë ditë ra dëshmor Xhevati, bashkë me Bedri Demakun dhe Imer Shalën. Të lodhur dhe të thyer nga dhimbja për humbjen e tyre, nuk dinim si t’ia jepnim lajmin e rëndë bacës Haxhi. Kur të gjithë prisnim shpërthimin e vajit në familje, ndodhi ajo që ka ndodhë mijëra herë në familjet shqiptare: në vend të vajit, qëndresa për të mposhtur dhimbjen dhe për të vazhduar deri në fund rrugën e lirisë.