Site icon PrishtinaPress

Veseli në Skenderaj: Në Drenicë flet puna, këtu i dhamë fund Serbisë

Kandidati nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli në tubimin e sotëm me qytetarë të Skenderajt, theksoi se në Drenicë më së shumti flet puna, sepse në Drenicë i ka ardhur fundi Serbisë.

Veseli nga vendi i lirisë dhe sakrificave, tha se 6 tetori është referendum, është orientim i Kosovës, është siguria për të ardhmen, dhe shtoi se është i sigurt që qytetarët e Kosovës do të dinë t’i përgjigjen masovikisht këtij referendumi në drejtimin e Kosovës euroatlantike, tw zhvilluar ekonomikisht së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me qeverisjen e PDK, ai tha se ka pasur investime në Drenicë sikur në gjithë vendin.

“Partia Demokratike e Kosovës pas 6 tetorit, jo vetëm këtu në Drenicë, sepse shpeshherë ka nga kapak keqkuptime. Kur është rëndë, flasin mirë për Drenicën, kur është çlirim, pastaj nganjëherë disa thonë se ‘vetëm në Drenicë po investohet’. Në pushtetin e PDK-së është investuar si në Deçan, si në Llap, si në Karadak, ashtu edhe në Drenicë, kështu kemi me vazhduar edhe pas 6 tetorit me qeverisjen PDK-së”, theksoi Veseli.

Ai mes tjerash tha se vizioni dhe qëllimi i PDK-së është që ketë zhvillim të ndërmarrjeve dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke fuqizuar Kosovën.

“Qeverisja jonë do të jetë e orientuar tek rinia inovatore, tek ndërmarrësit dhe nuk do të ketë asnjë tatim të ri, do të ketë ulje të tatimeve. Do të fuqizojmë edhe fermerët me subvencione dhe grante. Do t’i ndihmojmë të gjitha kategoritë që kanë nevojë për t’i ndihmuar, luftëtarët e lirisë, familjet e dëshmorëve, ndërsa pensionistëve do t’ia rrisim për 80 përqind pensionet e tyre. Për dy vite, jo më shumë do të legalizojmë të gjitha pronat e pa legalizuara në Republikën e Kosovës. Do të punojmë fuqishëm që ta ndërtojmë një shtet, i cili është i mirëqenë brenda, i fuqishëm dhe i respektuar jashtë”, deklaroi ai.

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku theksoi se secili qytetarë e din e angazhimin e PDK-së për qytetarin e këtij vendi, andaj, për këtë ka ftuar qytetarët e Drenicës që të jenë të bashkuar, unik dhe më 6 tetor të dalin të gjithë në zgjedhje, kurse më 7 tetor të festohet fitorja e PDK-së në Skenderaj edhe në Prishtinë.

“Besoj që secili qytetarë në Drenicë e dinë punën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe angazhimin e saj për qytetarin e këtij vendi. Prandaj, edhe një herë ju ftoj që të jemi bashkë, të jemi unik dhe më 6 tetor ta dalim të gjithë në zgjedhje, kurse më të 7-tin ta festojmë fitoren e PDK-së edhe në Skenderaj, edhe në Prishtinë”, deklaroi Lushtaku.

Kandidatë për deputet nga Skenderaj janë: Blera Deliu-Kodra, Mërgim Lushtaku, Ganimete Musliu, Fadil Beka, Blerim Latifi, Fadil Nura, Rafet Rama, Mirjeta Rukolli, Hidaim Rama, Faik Geci dhe Bekim Haxhiu.

Exit mobile version