Site icon PrishtinaPress

Veseli: Kuvendi ta miratojë pakon e propozuar nga PDK për t’i ndihmuar punëtorët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqin dhe Sarah Rexhepi Pulën, ku bëri thirrje që diaspora të ndihmojë sektorin e gastronomisë gjatë sezonit turistik.

Veseli përmes një postimi në Facebook, tha se sektori i gastronomisë është më i prekuri ndërsa u rrezikua edhe që të falimentojnë shumë biznese.

“Sot prita në takim Petrit Kllokoqin dhe Sarah Rexhepi Pulën nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, organizatë kjo që përfaqëson bizneset e shumta të kafiterive, klubeve dhe restoranteve. Ky sektor zë një peshë të madhe në ekonominë e vendit duke u radhitur gjithashtu si një ndër punëdhënësit kryesorë. Situata emergjente e pandemisë dhe masat që janë marrë gjatë kësaj periudhe, e kanë goditur më së shumti sektorin e gastronomisë, duke rrezikuar falimentimin e shumë bizneseve”, shkruan Veseli.

Veseli theksoi se PDK-ja në paketën prej mbi 320 milionë eurosh të propozuar kanë parashikuar edhe mbështetjen e bizneseve të gastronomisë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë partia e parë që ka vënë alarmin për pasojat e dëmshme ekonomike të pandemisë si dhe ka propozuar një paketë të plotë gjithpërfshirëse, me mbi 320 milionë euro, për të shpëtuar e rimëkëmbur ekonominë. Brenda paketës kemi parashikuar edhe mbështetjen e bizneseve të dëmtuara të gastronomisë, prandaj ajo duhet miratuar sa më shpejt nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo këto biznese kanë nevojë edhe për mbështetjen e të gjithë neve. Prandaj i bëj thirrje diasporës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që të mbështesin turizmin patriotik duke konsumuar kryesisht brenda në Kosovë gjatë sezonit turistik që po afrohet”, shkruan Veseli.

Exit mobile version