Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar sot Hoxhë Kadri Prishtinën në 95 vjetorin e vdekjes.
Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, Veseli ka shkruar se me iniciativën e Hoxhë Kadriut dhe patriotëve të tjerë, më 1918 u themelua komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me qendër në Shkodër.
“Sot mbushen 95 vjet prej ndarjes nga jeta të Hoxhë Kadri Prishtinës, njërit prej bijëve më të shquar të Kosovës. Me iniciativën e Hoxhë Kadriut dhe patriotëve të tjerë, më 1918 u themelua komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me qendër në Shkodër. Ky komitet ndërkombëtarizoi çështjen kombëtare dhe organizoi forcat mbrojtëse të trojeve shqiptare të Kosovës. Po ashtu, ai ishte ndër organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës, kuvendit mbarëkombëtar të vitit 1920, që mundësoi mbijetesën e shtetit të brishtë e të sapoformuar shqiptar.
Me veprën e tij të ndritur si ulema, hoxhë, politikan, publicist dhe jurist shqiptar ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar”, ka shkruar Veseli.