Site icon PrishtinaPress

Veseli kërkon unitet politik në votimin e pakos prej 320 milionë euro

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes një letre ka ftuar partitë politike ta votojnë pakon prej 320 milionë eruosh në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër.

Veseli ka thënë se Pakoja prej 179.6 milionë eurosh e miratuar nga Qeveria nuk është mjaftueshme dhe se qytetarëve dhe bizneseve u duhet më shumë mbështetje.

Letra e plotë e Kadri Veselit:

Unitet për qytetarët

Rreziku që po na kanoset si shoqëri, në këtë kohë pandemie, është shumëdimensional, ndërsa ky është momenti kur të gjithë duhet të jemi racionalë në ballafaqimin tonë me situatën e shkaktuar nga Covid-19.

Përveç brengës shëndetësore për qytetarët, shteti ynë duhet të fokusohet edhe në pasojat socio-ekonomike – të cilat mund të jenë fatale, nëse nuk ndërmerren menjëherë hapat e duhur preventivë.

Tashmë ekonomia globale po rrezikohet nga një recesion i madh, shumë më i madh sesa ai i viteve ‘30.

Po ashtu, çdo ditë bëhet e ditur se rritja ekonomike do të bjerë dukshëm, deri 2-4 për qind, ndërsa edhe remitencat do të ulen ndjeshëm.

Institutet dhe ekspertët kompetentë që merren me çështjet ekonomike, thonë se Kosova është duke humbur mbi 10 milionë euro çdo ditë. Humbja totale deri më tash është mbi 250 milionë euro.

Nëse shteti ynë nuk është i gatshëm që të marrë përgjegjësinë e ndërhyrjes për ta shpëtuar ekonominë e vendit, atëherë 280 mijë vende të punës në sektorin privat do të rrezikohen dhe qindra ndërmarrje të mesme e të vogla do të shuhen. Prodhuesit, për shkak të tkurrjes së ekonomisë vendore dhe ndërkombëtare, do t’i humbin tregjet e domosdoshme për eksport të produkteve të tyre.

E vërteta është se ne jemi shumë vonë me masat ekonomike.

Masat e propozuara nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe gjysmake (pakoja prej 170 milionë eurosh), si dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi për menaxhimin e financave publike.
Të gjithë e dimë se vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta miratojë buxhetin, plotësojë edhe ndryshojë atë në masën që është e nevojshme, për ta shpëtuar ekonominë e Kosovës.

Duke e konsideruar betejën me Covid-19 si përgjegjësi të të gjitha partive politike, duke e konsideruar përpjekjen për qëndrueshmëri ekonomike të vendit tonë si detyrë dhe imperativ, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë propozimin e saj për pakon 320 milionë euro, me tri burime të sigurta, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal.

Me qëllimin më të mirë të bashkëpunimit, edhe si obligim për qytetarët, PDK u ka bërë ftesë të gjitha partive në Kuvend që më 14 prill të bëhemi bashkë për ta kaluar pakon për rimëkëmbjen e ekonomisë sonë, duke qenë e hapur për plotësimet e mundshme.

Qytetarëve të Kosovës gjithmonë duhet t’ua krijojmë perspektiven për një të ardhme stabile, përtej çdo dallimi politik dhe çdo kalkulimi elektoral.

Prandaj, ftoj të gjitha partitë politike që më 14 prill ta bëjmë atë që qytetarët presin ta bëjmë për ta.

Nuk është as koha dhe as çështja që duhet të na ndajë. Përkundrazi.

Kadri Veseli
Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Po sot, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj  në konferencën për media ka dhënë detaje në lidhje me propozimet që ka bërë partia e tij, të cilat pritet të prazantohen nesër në seancën e jashtësakonshme,

Totaj tha se Qeveria e Kosovës, ka treguar vetëm vonesë, jo përgjegjësi dhe neglizhencë në përballjen me këtë emergjencë, duke shtuar po ashtu se “paaftësia  dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie për të përballur luftën kundër pandemisë dëshmohet më së miri nga buxheti i mangët i saj.

“Ky buxhet  u miratua në një seancë të turpshme klandestine, mu në fillim të epidemisë së koronavirusit në Kosovë duke përjashtuar mundësinë që opozita të jepte inpute dhe sugjerime”, ka thënë ai.

Exit mobile version