0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Veseli kërkon përshpejtimin e shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve

Në funksion të intensifikimit të dinamikës së shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve, si dhe të fuqizimit të punës së Kuvendit në tërësi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare.

Veseli bëri të ditur se aktualisht në procedurë parlamentare janë 31 projektligje, prej tyre, pesë projektligje presin për shqyrtim të dytë në seancë plenare, 18 projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare dhe tetë projektligje presin për shqyrtim të parë.

Për 12 projektligje, ndërkaq, kryetari bëri të ditur se ka tejkalim të afatit të paraparë me Rregulloren e Kuvendit, prej tyre një është nga viti 2015.

“Në vazhdim, kryeparlamentari Veseli paraqiti për secilin komision veç e veç projektligjet që janë në shqyrtim. Kështu, Komisioni për Legjislacion, aktualisht ka në procedurë të shqyrtimit shtatë projektligje, në Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, një projektligj, në Komisionin për Punë të Jashtme, dy projektligje, në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, tri projektligje, në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, dy projektligje, në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, katër projektligje, në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, tri projektligje, në Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, katër projektligje, në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dy projektligje, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, një projektligj, si dhe në Komisionin për drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në procedurë të shqyrtimit gjenden dy projektligje”, thuhet në njoftimin për media.

Në bazë të pasqyrës së prezantuar për gjendjen e projektligjeve në procedurën e shqyrtimit në komisionet parlamentare, Veseli tha se mund të konstatohet se disa komisione janë duke e kryer punën mirë, ndërsa nga disa të tjera, projektligjet nuk janë duke u proceduar brenda afatit të paraparë më Rregulloren e Kuvendit.

Rrjedhimisht, kreu i Kuvendit kërkoi angazhim më të madh të komisioneve, përkatësisht drejtuesve të tyre, për përshpejtimin e shqyrtimit dhe të procedimit të projektligjeve, për miratim në Kuvend.

Kryetarët e komisioneve, nga ana e tyre, prezantuan punën dhe angazhimet e komisioneve që ata drejtojnë, si dhe për projektligjet që ato kanë në procedurë të shqyrtimit.

Në këtë takim, u diskutuan edhe çështje të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e punës në Kuvend dhe rritjen e efikasitetit të punës së tij në segmente të ndryshme./PrishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img