Site icon PrishtinaPress

Veseli kërkon ndihmën e BE-së për Luginën e Preshevës: Qeveritarët e shkarkuar janë treguar indiferent

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot u ka dërguar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian për të kërkuar angazhimin e tyre në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në letrën e Veselit drejtuar institucioneve të BE-së thuhet se qytetarët në Luginë mund të marrin shërbime shëndetësore vetëm nga spitali i Vranjës, i cili është tashmë i mbingarkuar.

“Sot dërgova një letër drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian, për të kërkuar angazhimin e tyre në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nga bisedat që kam zhvilluar me përfaqësues të ndryshëm politik si dhe me miq të shumtë personal të atjeshëm, jam informuar se gjendja nuk është aspak e mirë dhe se shqiptarët ndihen të lënë anash prej qeverisë qendrore. Fatkeqësisht ata mund të marrin shërbime shëndetësore vetëm nga spitali i Vranjës, i cili është tashmë i mbingarkuar”, thuhet më tej.

Veseli pohon se qeveritarët e shkarkuar janë treguar indiferent dhe nuk kanë bërë asgjë për Luginën e Preshevës.

“Mirëpo ata nuk përfaqësojnë Kosovën, sepse Kosova e vërtetë është shumë e lidhur me banorët e Preshëves, Bujanovcit e Medvegjës dhe kurrë nuk do i braktisi ata”, shprehet kryetari i PDK-së.

Ai po ashtu theksoi që në bashkëpunim dhe me ndihmën e institucioneve të BE-së, Kosova mund të angazhohet që të zgjerojë kapacitetet dhe burimet e spitalit të Gjilanit për ta vendosur në dispozicion të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Exit mobile version