Veseli i shkruan letër falënderuese ambasadores amerikane në OKB
Prishtinapress
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Përhershme të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, ambasadores Nikki Haley, për ta falënderuar për angazhimin e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB.
“Është kënaqësi për mua që ju shkruaj, për të tu dhënë falënderime dhe mirënjohje të sinqertë në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për deklaratën e juaj të fuqishme, për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne jemi krenarë për progresin që kemi bërë brenda një kohe të shkurt pas shpalljes së pavarësisë dhe angazhohemi që të vazhdojmë këtë progres në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Republika e Kosovës është krenare që është aleat i përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë dhe është shumë mirënjohëse për miqësinë me ju”, ka shkruar Veseli.
Ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley ka deklaruar ditë më parë se Republika e Kosovës e ka vendin e saj në Kombet e Bashkuara.