Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim kryeshefin e ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili që nga 24 shtatori 2016 merr detyrën e re.
Veseli tha se Agjencia Kundër Korrupsionit do të ketë përkrahjen e Kuvendit në realizimin e strategjisë së saj.
Duke folur për punën e deritashme në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kryeparlamentari Veseli ka vlerësuar punën dhe angazhimin e kryeshefit të deritashëm të kësaj agjencie, Hasan Preteni.
Nga ana e tij, kryeshefi i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli ka falënderuar kryetarin e Kuvendit për mikpritjen dhe e ka siguruar se do të vazhdojë punën dhe realizimin e objektivave të Agjencisë.
Ai tha se Agjencia Kundër Korrupsionit do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe me Kuvendin dhe Komisionet Parlamentare për të realizuar sa më mirë objektivat e Agjencisë në përputhje me legjislacionin e vendit.