Kryeparlamentari Kadri Veseli, duke hedhur akuza në sistemin e drejtësisë, ka thënë se kushdo që është pjesë e skemës së korrupsionit dhe krimit të organizuar në rastin e fajdeve, ku është apostrofuar edhe emri i tij, duhet të përballet me drejtësinë.
Sipas tij, nuk mund të qëndrohet më indiferent ndaj faktit që neglizhenca e trajtimit të rasteve të krimit dhe korrupsionit, me apo pa qëllim, po mundëson vjetërsimin e lëndëve deri në parashkrim. Në një reagim në Facebook, Veseli ka thënë se kushdo që ka përgjegjësi institucionale duhet të kryejë detyrat ose të lëshojë rrugë për të tjerë.
Kujtojmë se javën e shkuar ishin arrestuar pesë persona nën dyshimin për veprat fajde e detyrim. Në videot ekskluzive të publikuara nga Koha, një nga akterët në video thotë se do t’ia japë 200 mijë euro Kadri Veselit.
“Gjatë javës së kaluar, ne media janë publikuar disa video-incizime, ku persona tashmë të dyshuar, shihen qartë duke kryer vepra penale. Këta persona, në mes tjerash kanë apostrofuar edhe emrin tim, për çka jam deklaruar menjëherë dhe kam ngritur kallëzim penal ndaj tyre për keqpërdorim të emrit tim. Edhe pse ka kaluar gati një javë e plotë, ende nuk kemi parë ndonjë reagim apo veprim konkret në lidhje me ketë rast nga ana e organeve të drejtësisë. Për këtë, me të drejtë, mund të ndjehen të shqetësuar të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Veseli.
Veseli ka thënë se “ajo që tashmë është kuptuar botërisht është fakti se krejt skema e mashtrimit në video-incizimet e publikuar ndërlidhet me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat. Dhe ende deri tash, në opinionin publik nuk është sqaruar rrjedha e licencimit të këtij spitali, që ka ndodhur ne vitin 2015 dhe për të cilin dyshohet se është pasojë e një skeme të korrupsionit institucional”.
“Duke e konsideruar tepër të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kërkoj urgjentisht nga organet përgjegjëse të rendit dhe ligjit që të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë të plotë për hetimin dhe ndjekjen e të gjithë personave përgjegjës dhe të dyshuar për këtë aferë”, ka thënë Veseli më tej.
Ai në fund ka thënë se më s’mund të vazhdohet me qasjen që më shumë ngrit pyetje sesa që jep përgjigje.
“Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj faktit që neglizhenca e trajtimit të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me apo pa qëllim, ka mundësuar vjetërsimin e lëndëve deri në parashkrimin e veprave penale. Nuk mund të vazhdohet më tutje me këtë qasje që më shumë ngrit pyetje sesa që jep përgjigje. Andaj, kushdo që ka përgjegjësi institucionale duhet të kryejë detyrat me përgjegjësi të plotë ose të lëshojë rrugë për të tjerë që veprojnë me përkushtim dhe integritet. Dhe kushdo që është pjesë e kësaj skeme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të përballet me drejtësinë, pa asnjë vonesë”, ka shkruar në fund ai.