Çdo projekt i cili është në të mirë të qytetarëve të rajonit të Ferizajt, do të marrë mbështetjen e institucioneve.
Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në përurimin e projekti “Qendra e sporteve dhe panaireve” në fshatin Greme të Ferizajt, në vlerë prej 1.2 milion euro, të financuar nga Ministria e Kukturës, Rinisë dhe Sporteve.
Kreu i Kuvendit tha se asnjë projekt i mirë për qytetarët nuk mund të realizohet pa pasur një kryetar të mirë, i cili jeton me brengat dhe qëllimet e qytetarëve të vet.
Duke falënderuar kryetarin e Komunës, Agim Aliu, i cili, sipas tij, bëri të mundur që në një afat rekord ky projekt të nisë së realizuari, Veseli tha se këtë e meritojnë qytetarët e këtij rajoni, ngase, siç tha ai, janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës.
Veseli tha se ky projekt, i cili, sipas tij, nuk do të fillonte pa rrugëtimin tonë të lirisë, është iniciuar nga deputetët e rajonit të Ferizajt, Mexhide Mjaku-Topalli dhe Elmi Reçica.
Duke uruar qytetarët për fitoren e mbrëmshme të përfaqësueses së Kosovës në futboll, Veseli ka thënë se parakusht për fitore është uniteti ekipor. Dhe kjo, sipas Veselit, është një mesazh edhe për politikën, e cila duhet të jetë bashkë, për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.
“Asgjë nuk mund të na ndajë në përcaktimin tonë për shtet të pavarur dhe sovran. Kosova është një, sovrane dhe nuk do të lejojë të cenohet territori i saj. Në këtë pikë duhet të jemi të gjithë bashkë, pozitë dhe opozitë, sikurse edhe në finalen e madhe, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE”, theksoi Veseli.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se ka përkrahjen e vazhdueshme të kryeparlamentarit dhe qeverisë për gjitha projektet që lehtësojnë jetën e qytetarëve të Ferizajt.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ndërkaq, konfirmoi mbështetjen për çdo projekt të fushës së dikasterit që ai drejton, të cilin e kërkon Ferizaj. Ai tha se ky projekt është realizuar me insistim dhe mbështetje të kryetarit Veseli.