Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në përurimin e fabrikës së ujit të pijshëm në Shkabaj të Prishtinës.
Kryeparlamentari Veseli, i cili hapi këtë ceremoni, theksoi se ky projekt kapital i filluar vite më parë është rezultat i një bashkëpunimi të shumanshëm në mes Qeverisë, Komisionit Evropian, Komunës së Prishtinës dhe kreditorëve gjermanë dhe i jep zgjidhje njërit prej problemeve kronike në kryeqytetin e Kosovës – furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.
“Përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve është obligim i përditshëm i të gjithë neve që bartim përgjegjësi institucionale. Nuk duhet të humbim kohë dhe energji në agjenda shterpe të politikës ditore. Është koha që të gjithë të fokusohemi në zhvillimin ekonomik të vendit, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, para së gjithash në industritë prodhuese të sektorit privat”, tha kryetari Veseli.
I pari i legjislativit tha se ky projekt dhe projekte tjera që po realizohen në bashkëpunim me donatorë të huaj, janë dëshmi e partneritetit dhe hapjes së perspektivës për investime tjera të huaja në Kosovë.
Veseli tha se pas këtij projekti institucionet duhet të punojnë shumë që edhe në komunat thera të Kosovës të zgjidhet problemi me ujë të pijes.
“Për ne vetëm një rrugë është e hapur: rruga drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. As nuk kemi e as nuk do lejojmë dilema në këtë vizion”, tha Veseli.