Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, tha sot se si Kryeministër i ardhshëm i vendit, do ta mbështesë edhe më shumë fushën e Teknologjisë Informative e cila po tregon çdo ditë shumë sukses me hapjen e shumë vendeve të punës, me paga të mira, për të rinjtë e talentuar.
Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, bashkë me ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, ka vizituar të hënën një kompani që punëson qindra të rinj në fushën e IT-së dhe shërbimeve, e që ka potencial shumë të madh të rritjes në të ardhmen.
“Ne e kemi identifikuar këtë fushë si prioritare me potencial të madh zhvillimor prandaj edhe kemi krijuar Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Kjo është edhe arsyeja përse kam emëruar një ministër të ri energjik si Muzafer Shala, me eksperiencë dhe ekspertizë të avancuar në këtë fushë”, tha kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Sipas Veselit, kompania si ajo që ka vizituar sot “Vision Group”, sigurojnë paga goxha të mira për të rinjtë e kualifikuar të Kosovës duke i motivuar ata kënaqshëm materialisht që mos të largohen prej vendit.
“Prandaj, në të ardhmen unë do ta mbështes edhe më fuqishëm këtë sektor sepse kam besim që do të bëhet burim masiv i vendeve të reja të punës, gjë që do të dekurajojë emigrimin e të rinjve dhe të nxis rritjen e ekonomisë kosovare”, tha Veseli.