-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Veseli: Do ta kemi ushtrinë dhe miqësinë me SHBA-në

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, ka siguruar qytetarët se “do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës”.

Në Konventën e tetë zgjedhore të PDK-së, Veseli ka thënë se ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe anëtare dinjitoze e NATO-s.

“Të tjerët le të merren me dilema, por ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës. Do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

Çështja e themelimit të Ushtrisë së Kosovës apo miratimi i një projektligji për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat ushtarak, ka nxjerrë në pah mospajtimet e faktorit ndërkombëtar, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, përballë institucioneve të larta të Kosovës.

Por, Kadri Veseli ka garantuar se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të Bashkimin Evropian nuk do të prishet, përkundrazi, siç ka thënë ai, partneriteti ndërkombëtar do të fuqizohet.

“Janë njerëzit e PDK-së që kanë meritat më të mëdha për partneritetintonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Me vizionin tonë, me besimin e madh të qytetarëve të Kosovës, e garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti. Aleanca me perëndimin, e lindur në ditët e rënda të luftës sonë çlirimtare, është vlera më e pacenueshme e jona”, ka thënë Veseli.

Në fillim të këtij muaji, presidenti Hashim Thaçi dërgoi në Kuvendin e Kosovës projektligjin, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që e kanë cilësuar “hap të njëanshëm”.

Por, presidenti Thaçi, që ka ‘kërcënuar pak ditë më parë me dorëheqje në rast të mosvotimit të ushtrisë së Kosovës në Kuvend’’, ka ripërsëritur garancitë për partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit, do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se problemi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, duhet të zgjidhet “në koordinim me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img