Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar rrëzimin e qeverisë pasi sipas saj nuk i kanë numrat t’i votojnë as projektligjet, raporton lajmi.net.
“Si keni numrat një projektligj me votu e lë më marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka polemizuar duke kërkuar nga opozita t’i bëjnë numrat dhe ta rrëzojnë qeverinë.
“Unë kur e kam nis e kam kry, niseni shikoni a po mundeni me kry, nuk mbajta inat vetëm thash se opozita është e dobët”, është shprehur Veseli.
Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se rrëzimi i qeverisë së kaluar është meritë e partisë së tij po ashtu edhe e VV-së.
“Rrëzimi i qeverisë ka qenë meritë e jona ne e kemi nisë, po ashtu është meritë edhe e VV-së që u rrëzu ajo qeveri, mbaj ti tuat boll të dalin”, ka thënë Sherifi.
Pas këtij reagimi Veseli e ka quajtur Sherifin të ‘menqur’
“Nuk lindin të gjithë aq të ditur sa të bëhen kryetar kuvendi si ju”, ka qenë përgjigja e Sherifit.