Site icon PrishtinaPress

Veseli bashkëbisedon me vreshtarët dhe verëtarët në Rahovec

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në Rahovec, për ta vazhduar kështu turin e tij të dëgjimit që ka filluar javën e kaluar anekënd vendit.

Ai ka takuar vreshtarët e rajonit të Rahovecit, për t’i dëgjuar nga afër sfidat dhe idetë e tyre për rritjen e industrisë së vreshtarisë.

Gjatë bashkëbisedimit në Shoqatën e Vreshtarëve, e cila ka rreth 4 mijë e 700 anëtarë, Veseli ka dëgjuar fermerët të cilët kërkuan më shumë mbështetje për të rritur kapacitetet e prodhimit të rrushit, njofton kumtesa, përcjell “Zeri.info”.

Isuf Gashi, vreshtar nga Rahoveci, tha se Qeveria duhet t’i shpërndajë mjetet e subvencioneve para se të bëhet prodhimi, e jo me vonesë. “Subvencionet duhet të jepen më së largu në fillim të qershorit, për ta mbrojtur prodhimin. Pas prodhimit, mua çfarë më duhet kur atëherë i kam prodhuar 50 mijë kilogramë rrush. Në qershor. Këtu ndiko ti”, tha Gashi.

Vllaznim Canziba, vreshtar nga Rahoveci, tha se gjendja në sektorin e vreshtarisë duhet të përmirësohet më shpejt se deri tani. “Dhe ne e shohim një shpresë te ju, sepse i vetmi politikan deri tash qe 17 vjet që ka përfunduar lufta, unë nuk e kam parë që ka ardhur këtu në qytetin tonë kaq thjesht për të biseduar me ne. Prandaj, unë kam shpresë se ju do të ndryshoni këtë gjendje”, tha Canziba.

Pasi dëgjoi fermerët për idetë e tyre për fuqizimin e vreshtarisë në Kosovë, Veseli tha se do të ketë kujdes të veçantë.

“Unë kam ardhur t’ju dëgjoj. Dhe, këto nuk do të jenë pjesë të cilat unë do ti’ mbaj me vete sa për ta kaluar kohën dhe me mbetë në vesh të shurdhër, për këtë të jeni të sigurt. Kur kam ardhur sot, kam menduar më shumë për politikat afatmesme prej vitit të ardhshëm e më tutje, por i shoh edhe problematikat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt. Ne nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që Rahovec si kryeqytet i bujqësisë në Republikën e Kosovës me u ndalë. Po ua jep fjalën se do ta keni përkrahjen e plotë”, tha Veseli.

Pas takimit me vreshtarët, Veseli ka takuar anëtarët e shoqatës së verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, të cilët i ka dëgjuar për idetë për rritjen e prodhimit, për rritjen e cilësisë si dhe për rritjen e eksportit të verërave kosovare.

Exit mobile version