Site icon PrishtinaPress

Veseli: Ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, do të luftojmë për ta çliruar Kosovën nga korrupsioni

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në Konventën festive të PDK-së se dhjetëra-mijëra qytetarë që morën pjesë në zgjedhjet e brendshme – i dhanë PDK-së një drejtim të ri dhe energji të reja reformatore.

Ai tha se Kosova e ka përfunduar luftën për liri e pavarësi, por nuk është përfunduar lufta për shtetin e së drejtës, për shtetin si garanci e zhvillimit.

“Prandaj, sot jam këtu, për t’u zotuar para jush, se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ashtu do të luftoj, së bashku me të gjithë ju, që ta çlirojmë Kosovën nga korrupsioni, nga nepotizmi, nga abuzimet”, tha Veseli.

Fjalimi i plotë i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:  

Ne jemi sonte këtu, në këtë mbrëmje të bukur, që qytetarëve të vendit tonë t’ua përcjellim një mesazh.

Se Partia Demokratike e Kosovës, nga procesi i saj zgjedhor, ka dalë edhe më e organizuar, edhe më e fuqishme, edhe më e mirë, dhe si e tillë – do të jetë mbështetja më madhe e tyre.

Do të jetë forca që mbron lirinë dhe promovon vizionin për shtetin e së drejtës, për shtetin e shanseve të barabarta dhe projekteve të mëdha të zhvillimit.

Partia Demokratike e Kosovës do të jetë zëri i Dekadës së Re.

E si mund të mos jetë, kur jemi partia më e fuqishme në vend dhe ju jeni arsyeja për këtë.

Me nderin dhe përgjegjësinë që më keni dhënë, kam qenë dhe do të vazhdoj të jem i përkushtuar për një rilindje të Partisë Demokratike.

Kemi dëshmuar shembullin më të mirë të demokracisë, dhe po, me krenari mund të themi se ky procesi ishte një sukses i jashtëzakonshëm.

Dhjetëra-mijëra qytetarë që morën pjesë në zgjedhjet tona të brendshme – i dhanë partisë një drejtim të ri dhe energji të reja reformatore.

Kemi arritur t’i ruajmë njerëzit që për 20 vjet kanë kontribuuar me ndershmëri për Partinë Demokratike dhe për Kosovën, e na janë bashkuar edhe mijëra gra e burra, djem e vajza, dhe sot po promovojmë njerëz të rinj e premtues për të ardhmen.

Prandaj, jam shumë krenar me partinë tonë, jam shumë krenar me ju dhe njerëzit që na janë bashkuar.

Të gjithë jemi bërë bashkë, me besim dhe shpresë në PDK, të bindur se kjo është platforma përmes së cilës do të mund të kontribuojmë për shtetin tonë, për kombin tonë.

Jam krenar të jem Kryetari juaj – Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ne përmbyllëm këtë proces me sukses të madh, por, ne e dimë, se edhe sfidat para nesh i kemi të mëdha.

Për këtë jam tejet i vetëdijshëm dhe entuziazmi nuk duhet të na humbë fokusin.

Në këtë moment solemn, mesazhin dua ta ndërtoj mbi një rrëfim, i bindur se një të tillë e keni dëgjuar shumë prej jush.

Menjëherë pas luftës, një familje ndërtoi një fermë bujqësore, sepse ishte e vendosur të punonte vetë dhe të mos varej nga mbështetja e shtetit.

Babai dhe nëna kursyen paratë për shkollimin e fëmijëve, sepse besonin që duke investuar në arsimim të mirë, fëmijët e tyre do t’i kishin mundësitë që i meritonin dhe një të ardhme më të mirë.

I rritën ata në vlera të lirisë dhe dashurisë për shtetin.

Djali i tyre i madh përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës, ndërsa punonte si kamarier që t’ua lehtësonte barrën prindërve.

Por, ëndrra e tij ishte të punonte në sektorin financiar, për çfarë edhe kishte studiuar.

Aplikoi për punë në disa vende, në sektorin privat dhe publik, por mundësitë ishin të pakta, ndërsa shokët e tij të studimeve, edhe pse me nota më të ulëta, punësoheshin në institucione – falë lidhjeve që kishin.

I dëshpëruar, ai vendosi të largohet nga Kosova dhe të shkojë në Gjermani. Atje gjeti punë me lehtësi dhe nisi një jetë të re. Për fat të keq, ne të gjithë e njohim nga një i ri si ky.

Është e vërtetë, të rinjtë tanë premtues po largohen nga shteti ynë i ri, për shkak të mungesës së mundësive dhe për shkak të korrupsionit e nepotizmit.

Po na largohet aseti më i madh i Kosovës, të rinjtë tanë.

Dhe, ne duhet ta pranojmë, po rrezikojmë që pas një sakrifice të jashtëzakonshme, me të cilën fituam lirinë dhe shtetin, ta humbim perspektiven në liri.

A mund ta lejojmë këtë? A guxojmë ta pranojmë këtë? Jo. Asnjëherë, jo.

Kur e kemi nisur luftën për liri, si njëri nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam besuar fuqishëm se do ta arrijmë lirinë. Lirinë që garanton zhvillimin dhe perspektivën e qytetarëve tanë.

Sot, 20 vjet pas fitores së lavdishme të asaj lufte, nuk do të lejoj që të vihen në dilema ato vlera.

Nga askush dhe për asgjë.

Shpirti i sakrificës dhe solidaritetit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dje, duhet që të jetë shembull i luftës për karakterin e shtetit tonë sot.

E kemi përfunduar luftën për pavarësi, por nuk e kemi përfunduar luftën për shtetin e së drejtës, për shtetin si garanci e zhvillimit.

Prandaj, sot jam këtu, për t’u zotuar para jush, se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ashtu do të luftoj, së bashku me të gjithë ju, që ta çlirojmë Kosovën nga korrupsioni, nga nepotizmi, nga abuzimet.

Dhe, do ta përmbushim vizionin tonë për Kosovën me mundësi të barabarta për të gjithë, ekonomikisht të fortë, pa korrupsion dhe me njohje të plotë ndërkombëtare.

Ne përmbyllëm dje procesin zgjedhor, ndërsa prej sot do ta hapim një etapë të re.

Një etapë të re jo vetëm për Partinë Demokratike, por për gjithë Kosovën.

Ne përmbyllëm një proces model, por nuk e kemi përmbyllur procesin e reformës që na zhvillon si model.

Reforma e Partisë Demokratike dhe zhvillimi i Kosovës do të vazhdojë edhe më fuqishëm në etapën e re.

Këtë jemi duke e bërë qysh tani me Ministritë që udhëheq Partia Demokratike.

Me Ministrinë e Shëndetësisë po luftohet korrupsioni, po ndryshohen prioritetet dhe po realizohen reformat.

Janë rritur pagat dhe po përmirësohen kushtet e punës.

Qytetarët çdo ditë po e ndjejnë ndryshimin e madh që po bëhet dhe atyre u janë rritur shpresat.

Por, ne do të bëjmë edhe më shumë për t’i përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe mjekët e infermierët tanë do t’i mbajmë këtu.

Me Ministrinë e Drejtësisë po ndërmarrim reformat e duhura për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për ta luftuar korrupsionin.

Po, duhet ta pranojmë, se sistemi i drejtësisë ende nuk është i fuqishëm sa duhet, qytetarët ende nuk e ndjejnë se është denjësisht i barabartë për ta, dhe ende ka vonesa të paarsyeshme në vënien e drejtësisë.

Por, ne e dimë saktë se çfarë reformash duhet bërë dhe do t’i bëjmë ato deri në fund.

Kemi krijuar Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për t’i mbështetur të rinjtë në idetë e tyre, në transformimin digjital të Kosovës dhe rritjen e kapaciteteve eksportuese.

Mirëpo, ende shumë të rinj inovatorë, ndërmarrës, kanë nevojë për përkrahje. Ne do ta dyfishojmë përkrahjen për ta.

Me Ministrinë e Integrimeve po udhëheqim procesin e integrimeve europiane. Bashkimi Europian mbetet prioriteti yni nacional, por vonesat objektive në liberalizim janë të padrejta.

Me Ministrinë e Financave po e rrisim buxhetin e shtetit dhe po bëjmë reforma fiskale – të cilat po i ndihmojnë ndërmarrësit. Do t’i ulim edhe më shumë taksat për ta dhe do ta rrisim prodhimin.

Me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, jemi bërë krah i fuqishëm në mbështetje të sportistëve dhe artistëve tanë.

Ata po na bëjnë krenarë dhe ne do të vazhdojmë t’i përkrahim kampionët tanë.

Do të ndërtojmë stadiumet më të bukura në Ballkan. Do ta ndërtojmë shtëpinë më të bukur të kampionëve dardanë.

Ata janë përfaqësuesit më të mirë të shtetit tonë. Ata janë kampionët e vërtetë të Kosovës.

Partia Demokratike ka bërë shumë ndryshime në Kosovë, shumë punë.

Dhe, këtë e kemi bërë së bashku, me përkushtim dhe dashuri për Kosovën.

Megjithatë, PDK nuk është e pagabueshme dhe për fat të keq disa njerëz që kanë abuzuar me pushtetin – na kanë dëmtuar.

Por, kjo do të marrë fund. Do të marrë fund!

Nën udhëheqjen time, të korruptuarit s’do të kenë vend në partinë tonë.

Ne do të vendosim një standard të ri etik.

Do ta nisim nga vetvetja dhe do ta shtrijmë atë në çdo segment.

Do ta mbajmë të hapur partinë për kuadro të reja, për energji të reja, për ata që e duan Kosovën më shumë se veten, për ata që duan të punojnë për Kosovën dhe të marrin përgjegjësi.

Partia Demokratike është dhe do të jetë partia më e fuqishme në Kosovë.

Por, prisni pak. Sepse, le ta pranojmë, ky proces i reformave, në PDK dhe në krejt Kosovën, nuk do të jetë i lehtë, do të marrë kohë dhe mua më duhet mbështetja juaj e vazhdueshme që t’ia dalim.

E di se dikush mund të ketë dyshime nëse do ta bëjmë këtë. Më lejoni t’ju them, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë brenda një dite.

Por, më besoni, po na presin vendime të rëndësishme dhe reforma të mëdha.

Sepse, nuk ka opsion tjetër!

Këtë e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë ngopur me fjalë dhe janë të etur për veprime.

Prandaj, shumë shpejt, ju do të shihni ndryshime të mëdha dhe hapa të rëndësishëm.

Do ta çojmë partinë drejt një etape të re.

Gjithmonë, kur kam para vetes vendime të rënda, vështirësi, më kujtohen ditët e mia në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Asokohe, ishim pak veta kundër një ushtrie të madhe.

Shpesh, nuk na besonte pothuajse askush, madje as të afërmit, se do të mund t’ia dilnim dhe se do të mund te fitonim.

POR, ne e dinim se nuk kishim opsion tjetër përveç se të vepronim.

Vetëm nëse do të vepronim, vetëm nëse do të merrnim vendime, vetëm nëse do ta kishim guximin që duhej, do ta çlironim Kosovën.

Edhe sot, nuk kemi tjetër opsion përveç se të veprojmë, nuk kemi tjetër opsion përveç se ta fitojmë këtë betejë, duke qenë të gjithë të vendosur, të guximshëm dhe së bashku.

Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka opsion tjetër.

Ne duhet të veprojmë drejt dhe mirë për Kosovën.

Me angazhimin tuaj dhe me ndihmën e qytetarëve tanë të mrekullueshëm, në zgjedhjet e ardhshme ne do ta kemi pushtetin e nevojshëm dhe do ta udhëheqim Qeverinë.

Atëherë do të jemi në gjendje ta zbatojmë vizionin tonë të plotë, edhe më mirë, për Dekadën e Re.

Një Kosovë me shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, në të cilën të rinjtë rrinë këtu dhe gjejnë punë këtu.

Një Kosovë me ekonomi të fuqishme dhe stabile, që shfrytëzon përparësitë konkurruese përmes resurseve të veta njerëzore natyrore, që hap vende të reja pune, që tërheq investitorë të huaj.

Një Kosovë me ekonomi të fuqishme që punon për qytetarët dhe u krijon atyre mundësi, që i inkurajon dhe i mbështet ndërmarrësit dhe të rinjtë me ide të mëdha dhe inovatore.

Një ekonomi që do t’ia bëjë të lehtë secilit ta hapë një biznes, të ketë sukses dhe t’i përmbushë ëndrrat që ka.

Një ekonomi që nuk varet vetëm nga ndihma e Qeverisë, por varet nga konkurrenca dhe idetë kreative. Sepse, të rinjtë janë motori i vërtetë i ekonomisë kosovare.

Për të ndodhur kjo, duhet ta kemi një Qeveri të vogël, që u siguron qytetarëve mundësi të mëdha.

Më pak pushtet për Qeverinë. Më shumë pushtet për qytetarët.

Po flas për një ekonomi të lirë të tregut, të bazuar në ndërmarrësi, konkurrencë dhe sundim të ligjit.

Por, për ta arritur këtë, ka një kusht: ta luftojmë korrupsionin dhe ta forcojmë sundimin e ligjit. Sepse, kudo që ka korrupsion dhe nepotizëm, nuk ka shanse të barabarta, nuk ka konkurrencë të drejtë. E shanset e barabarta dhe konkurrenca fer janë themeli i një ekonomie të suksesshme dhe i një shoqërie moderne.

Ky është misioni ynë në Dekadën e Re. Ne do ta bëjmë këtë. Ne do ta bëjmë këtë.

Lufta jonë kundër korrupsionit do të jetë e pakompromis dhe dukuritë e neveritshme të abuzimit me pushtetin do të marrin fund.

Nuk guxojmë të lejojmë që të na ikë nga vendi asnjë i ri, si djali nga rrëfimi që dëgjuat më parë.

Do të punësohen më të mirët. Do t’i ndihmojmë më të mirët.

Në vizionin tim, djemtë dhe vajzat e reja do ta gjejnë perspektivën në Kosovë, do të kenë punë këtu, të krijojnë familjen këtu dhe t’i rrisin fëmijët e tyre këtu – duke kontribuar për shtetin e lirë dhe të drejtë që kanë ëndërruar.

Do ta forcojmë sistemin tonë arsimor, sipas nevojave të tregut.

Do ta zhvillojmë dhe avancojmë sistemin shëndetësor, në mënyrë që qytetarët të mos kenë më nevojë të kërkojë trajtim vetëm jashtë vendit.

Detyrat tona të brendshme janë misioni ynë kryesor për Dekadën e Re, por ky nuk është misioni i vetëm.

Në Dekadën e Re do të vazhdojmë të punojmë me mençuri edhe në politikën e jashtme, duke forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.

Do të angazhohemi për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjithë, për anëtarësimin në OKB, për përshpejtimin e rrugës sonë euro-atlantike, duke kërkuar njëkohësisht drejtësi historike me Tribunalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Të rinjtë tanë, djemtë dhe vajzat tona, duhet t’i kenë dyert e hapura dhe të shkojnë kudo që duan në Europë.

Nuk ka më asgjë që e arsyeton izolimin.

Kosova ka bërë shumë hapa përpara dhe Partia Demokratike ka pjesën e vet të krenarisë në çdo etapë – të Lirisë, të Pavarësisë dhe të Shtetndërtimit.

Por, gjithsesi Kosova ka nevojë për më shumë progres, ka nevojë për më shumë dashuri dhe për më shumë përkushtim.

Dhe, jam i sigurt se të bashkuar do të kemi sukses.

Nga këtu, i ftoj të gjithë qytetarët, të rinjtë dhe të rejat, studentët, profesorët, mjekët, inxhinierët, ndërmarrësit, fermerët, punëtorët, që të bashkohen me ne, në Dekadën e Re të PDK-së, dhe së bashku ta krijojmë një të ardhme të sigurt për të gjithë, një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Ky është qëllimi im në politikë.

Ky është vizioni ynë për Kosovën që e duam në Dekadën e Re.

Exit mobile version