Site icon PrishtinaPress

Vërtetohet dënimi me 13 vjet burgim i Vukotiqit për sulme seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotiq ishte dënuar me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kjo nënkupton se viktima e këtij dhunimi është e mbijetuara e parë që triumfoi në të gjitha nivelet e gjyqësorit.

Kështu ka thënë Qendra Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës- QKRMT, e cila e ka mirëpritur këtë vendim, raporton Klankosova.tv.

“Kjo shënon përfundimin e epilogut të këtij rasti dhe tani kemi të mbijetuarën e parë e cila me këmbëngulësinë e saj dhe mbështetjen e parreshtur të QKRMT-së gjatë gjithë procesit, triumfoi në të gjitha nivelet e gjykatave. QKRMT vazhdon t’i mbështesë dhe i inkurajon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë drejtësi”,  tha QKRMT.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Zoran Vukotiqin me 10 vjet burgim, ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte rritur dënimin në 13 vjet burgim.

Mbrojta e të akuzuarit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe Gjykata Supreme e refuzoi këtë kërkesë dhe përfundimisht e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotiq ishte dënuar me 13 vjet burgim.

Exit mobile version