Site icon PrishtinaPress

Vërshimet tragjike në Pejë, rritet numri i kërkesave të qytetarëve për kompensim të dëmeve

Të shtunën e 24 qershorit reshjet e mëdha të shiut shkaktuan vërshime të mëdha në Kosovë, si pasojë e të cilave vdiqën nëna me djalin 6 vjeçar. Dëme të mëdha u shkaktuan edhe në infrastrukturë. Drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, Agron Nikçi, ka thënë për Express se deri më tani janë pranuar 400 kërkesa për kompensim të dëmeve të shkaktuara. Ai tha se presin që në mesjavën e ardhshme ta dorëzojnë raportin në Qeveri.

Më 24 qershor pas orës 20:00 në Pejë ka rënë shi aq sa ka rënë gjatë gjithë muajit qershor në këtë komunë. Si pasojë e reshjeve të mëdha, Peja është vërshuar, kështu duke çuar në humbjen e dy jetëve – nëna me djalin 5 vjeçar në lagjen “Asllan Çeshme”. Përpos tyre, lëndime pësuan edhe dy persona tjerë, të cilët më pas janë liruar nga spitali.

Mirëpo, dëme të mëdha ka pasur edhe në infrastrukturë, shumë rrugë janë bllokuar ndërsa ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje.

Që prej asaj dite deri tash 400 kërkesa i kanë pranuar dy komisionet që ka themeluar Komuna e Pejës. Kështu tha drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, Agron Nikçi.

Ai bëri të ditur që ende janë duke i vlerësuar dëmet dhe se presin që gjatë javës së ardhshme ta dërgojnë raportin në Qeveri.

“Deri tash, te komisioni që është për vlerësim të dëmeve, janë diku 400 kërkesa nga bizneset dhe amvisëritë familjare. Jemi duke i pritur kërkesat deri të premten, më pas komisioni del dhe i vlerëson ato në terren dhe më pas i dërgojmë në qeveri. Besoj kah mesi i javës tjetër i dërgojmë në Qeveri”, u shpreh Nikçi.

Në një prononcim për Gazetën Express, ai tha se deri tash janë vlerësuar 140 kërkesa të qytetarëve, derisa afati është i hapur deri të premten.

“Momentalisht jo, pasi që komisioni deri tash ka arrit me i vlerësu 140 kërkesa, janë dy komisione por është pak telashe”, deklaroi ai.

Si ndodhi vdekja e dyfishtë në Pejë?

Një ditë pas natës tragjike, Fatmir Asllani, nënkryetar në komunën e Pejës, ka treguar se si ka ndodhur vdekja e dy qytetarëve atje, si pasojë e vërshimeve.

Në një bisedë me Gazetën Express, ai ka thënë se ekipet kanë qëndruar deri në 05:00 të mëngjesit të sotëm duke verifikuar nëpër veturat që ranë në kanal se mos ka persona të zhdukur.

“Ne deri në orën 05:00 në mengjës kemi qenë me të gjitha ekipet emergjente në terren, ka ardhe edhe FSK-ja dikur, pasi janë gjetë kufomat kanë ardhë edhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, zv.ministri i MPB-së, kemi verifiku a ka të lënduar, në ato momente interesimimi ynë ka qenë veç a ka njerëz të lënduar, mos ka të zhdukur. Kemi pa shumë dëme materiale, makina e te tjera, por në ato momente nuk na bike në sy asgjë para njerëzve, ishim të interesuar mos ka edhe të tjerë të lënduar sepse ka pasur edhe disa vetura që kanë ra në kanal, ato i kemi verifiku një nga një, mos ka njerëz në ato vetura dhe fatmirësisht nuk ka pasur të tjerë”, deklaroi Asllani të dielën për Gazetën Express.

Nënkryetari Asllani kishte treguar se në momentet kritike nëna rreth 30-vjeçare së bashku me djalin e saj 5-vjeçar ishin në shtëpinë e tyre, por që më pas trupi i zhdukur i gruas u gjet pranë një shtëpie të fqinjëve.

“Siç po raportohet, sepse rasti sigurisht është edhe duke u hetuar, aq sa dimë ne ata kanë qenë në shtëpi dhe shtëpia ka qenë shumë afër jazit që ka vërshu dhe vrulli i madh i ujit që ka ardhë e ka marrë edhe shtëpinë. Supozohet njëfarë dige që ka qenë ë ndërtuar në lagjen në vitet 50-60, ajo është dëmtu dhe e ka sjellë vrullin e madh të ujit, Jazi Qokolica thirret, është i rrëmbyushëm përkohësisht. Ata dy kanë qenë në shtëpi dhe fqinjët e kanë raportu rastin. Shtëpia duhet me qenë ndërtim i pasluftës. Nëna është gjetë në një shtëpi afër fqinjëve, më vonë”, tha Asllani.

Për vdekjen e dy qytetarëve të komunës që ai udhëheq, kishte folir edhe Gazmend Muhaxheri Kryetar i Komunës së Pejës.

“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore. Ekipet tona janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet.”

Exit mobile version