Site icon PrishtinaPress

Vërshimet kthyen në ankth dasmën e çiftit nga Skenderaj

Një çifti dasma u është kthyer në ankth. Ata po martoheshin vetëm një ditë pasi uji kishte marrë shtëpinë e tyre si pasojë e vërshimeve në Skenderaj. Dhoma e sapo mobiluar për çiftin e ri ishte zhytur në ujë derisa babai i djalit ishte detyruar të qëndrojë në spital, pasi u ftoh nga përballja me ujërat.

Mirjeta Hetemi e Astrit Tahiraj janë që dy vite së bashku. Ata dashurinë e tyre kishin vendosur ta finalizojnë me një dasmë ku do të kishin të ftuar shumë mysafirë. Kishin bërë përgatitjet dhe kishin rezervuar edhe restorantin.

“E kena pasë lanë me termin e me krejt. Po tani na ndodhi qikjo dhe kisha qef me pshtu këta familjarët. Po apet se apet mirë është. Tani babën u duft me çu në spital…”, fillon rrëfimin Mirjeta Hetemi, në një intervistë në RTK.

Ajo kishte qëlluar jashtë shtëpisë bashkë me bashkëshortin e saj me të cilin do të martoheshin vetëm një ditë më vonë. Ata kishin provuar të hynin në shtëpi për të takuar pjesën tjetër të familjes që ballafaqoheshin me vërshimet.  

“Veç unë e burri jena kanë jashtë. Edhe u duftë gjithqysh me hy nëpër ujë me ardhë te kta. Tana i kena ble, me dhomë e me tana qiso sene që na kanë vyjt, por na kanë shku dam”, thotë ajo.

Përpjekjet për të parandaluar futjen e ujit në shtëpi bënë që Avdyl Tahiri të pësojë edhe me shëndet. Ndonëse dasma u mbajt, ai nuk pati mundësi të jetë pjesëmarrës në ahengun e djalit pasi iu desh të shtrihej në spital, si pasojë e ftohjes për shkak të zhytjes në ujë.

“Jam edhe i ftofun prej mushkërive përpara dhe më rroku këtu ujtë, si më rroku, të nesërmen përnjëherë mu ka duftë te mjeku me shku”, thotë vjehrri Avdyl Tahiri.

Edhe dasmorët që ishin në ahengun e familjes nuk është që u ndjenë mirë.

“Krejt janë ndje keq amo edhe ata (mysafirët – V.j.) janë ni shumë keq kur na kanë pa në qit gjendje. Si kom ditë vullnet qasaj dasme”, shprehet.

Nusja dhe dhëndrri, sapo përfunduan dasmën i priti një sfidë para vete. Të pastrojnë shtëpinë nga llumi që iu kishin sjellë ujërat gjatë vërshimeve dhe familja të krijojë një strehë e të rimëkëmbej.

Exit mobile version