Site icon PrishtinaPress

Vërshimet, KRU “Hidrodrini”: Uji në Pejë është i pijshëm

Vërshimet e mbrëmjes sollën bilancë tragjik në Pejë, që fatkeqësisht rezultoi me dy jetë të humbura, dy të lënduar dhe dëme të tjera materiale.

KRU ‘Hidrodrini’, IKSHPK dhe IRSHP ka njoftuar se uji në territorin e komunës së Pejës sikur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë është i sigurt për pije duke mbetur brenda standardeve të parapa.

Kjo kompani ka njoftuar se vërshimet e mbrëmjes së të shtunës, përpos komunës së Pejës, nuk kanë prekur komunat tjera të zonës së mbulueshmërisë, Deçan, Klinë, Junik dhe Istog.

KRU ‘Hidrodrini’, IKSHPK dhe IRSHP kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e prekur dhe të gjithë qytetarët në Pejë.


Njoftimi i KRU ‘Hidrodrini’, IKSHPK dhe IRSHP:

Nga ora 20:00 e të shtunës, me vendim të kryeshefit ekzekutiv, Dri Cena, është ngritur shkalla e gatishmërisë dhe emergjencës në tërë zonën e mbulueshmërisë. Peja si komunë e prekur nga vërshimet, që nga fillimi i shfaqjes së periudhës së krizës, pasojë e reshjeve, në aspektin e burimeve të ujit dhe sistemit të rrjetit furnizues, ka qenë dhe mbetet në kontroll të ekipeve të përbashkëta të mbikëqyrjes së cilësisë, kualitetit dhe furnizimit.

Ekipet mbështetëse të KRU ‘Hidrodrini’ janë ndarë dhe mbeten në terren për ndërhyrje eventuale të lokalizuara. Në matjet e përbashkëta IRSHP -së dhe KRU ‘Hidrodrini’, të orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, cilësia e ujit në burimet Uji i Zi dhe Radavc ka qenë brenda normave të kërkuara. Në takimin e përbashkët të orës 12:00 sot, të ing .Dri Cena – Kryeshef Ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’, Dr. Burbuqe Nushi – Shefe e Njësisë së ujërave nga IKSHPK, Dr. Adnora Nurboja – Drejtoreshë e IRSHP-së Pejë dhe Dr. Burim Kotori – përgjegjës për shërbimin e ujërave në IRSHP-Pejë, bazuar edhe në të dhënat laboratorike, është rikonstatuar situata nëpër burime dhe sistem, si e qetë dhe e menaxhueshme, me përjashtim të paraqitjes së rënies së nivelit të shtypjes në pompën kryesore të qytetit dhe menjëherë janë aktivizuar kapacitetet ndihmëse me çfarë furnizimi mbetet stabil.

Matjet e përbashkëta në terren janë përditësuar edhe në ora 13:00 dhe të njëjtat rezultojnë në normë; Burimi Uji i zi -Turbullira 0.01 në normë, Klori rezidual 0.25 në normë. Burimi Radavc -Pika 1; Turbullira 0.45 në normë, Klori rezidual 0.00 pa ndotje bakteriale. Pika 2; Turbullira 0.31 në normë, Klori rezidual 0.00 pa ndotje bakteriale. Si përfundim, uji në territorin e komunës së Pejës sikur edhe në tërë zonën e mbulueshmërisë është i sigurt për pije duke mbetur brenda standardeve të parapara.

Exit mobile version