Site icon PrishtinaPress

Veriu vihet nën kontroll, “ekonomia e zezë” përfshinë gjithë Kosovën

Ekonomia joligjore apo evazioni fiskal në Kosovë, konkretisht në pjesën veriore të Kosovës, mbetet i pranishëm, por jo në përmasat para vitit 2013, kur në pikat kufitare 1 dhe 31 ( Bërnjak dhe Jarinë) janë vendosur oficerët doganor të Kosovës, thonë zyrtarë qeveritar.
Drejtor i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në këtë pjesë, që dikur është quajtur “vrima e zezë e kontrabandës”, tashmë kjo dukuri është zvogëluar dukshëm.
Për këtë ai thotë se Dogana e Kosovës, në bashkëpunim më autoritet tjera përgjegjëse, është duke mbuluar të gjitha rrugët alternative, në mënyrë që të ndalohet hyrja e mallrave kontrabandë .
“Përveç që kemi inkasuar të hyra në ato dy vende-kalime dhe kontrollojmë mallra që importohen përmes atyre dy vendkalimeve, ne kemi kontroll të territorit në pjesën e veriut. Dhe indikacionet që na dëshmojnë se jemi duke luftuar kontrabandën në pjesën veriore janë për arsye se çmimet më pakicë në pjesën veriore janë ngritë”.
“Më pas në kontaktet që i kemi të përditshme me kompanitë në pjesën jugore, ato na dëshmojnë se çdo ditë e më shumë, janë duke u shitur mallra për pjesën veriore të Kosovës”, tha Rafuna.
Betejën e pakompromis kundër evazionit fiskal disa herë e kanë e paralajmëruar zyrtarë qeveritar, pasi sipas tyre, kjo dëmton buxhetin e Kosovës.
Vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vitin e kaluar pati thënë se nga ekonomia joligjore 400 deri 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit në arkën e shtetit.
Kurse nga zyrtarë tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, disa herë është pranuar se evazioni fiskal arrin në 33 për qind.
Në anën tjetër ekspertë për çështje ekonomike, duke mos supozuar ndonjë përqindje të përafërt, pohojnë se lufta kundër ekonomisë joligjore ka nevojë për veprime konkrete dhe jo deklarime.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se evazioni fiskal është i pranishëm në tërë territorin e Kosovës. Ai thotë se arsye e gjithë kësaj është mos sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Në një shtet ku nuk ka sundim të rendit të ligjit ka mundësi për korrupsion, burokraci, nepotizëm, e mbi të gjitha për evazion fiskal. Është e vërtetë se viteve të fundit ne jemi shumë më të tepër të përqendruar vetëm në veri. Mirëpo dukuria e evazionit fiskal nuk është vetëm dukuri e veriut, por është edhe e pjesëve të tjera të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se në këtë drejtim janë bërë disa hapa pozitiv, po jo të mjaftueshëm.
Ndërkaq, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se tashme kanë indikacione se niveli i ekonomisë joformale është zvogëluar në gjithë territorin e Kosovës.
“Vetë rritja e të hyrave këtë vit për 16 për qind më shumë se sa vitin e kaluar dhe 3 për qind mbi projeksionin e dëshmon se çdo ditë e më shumë kontrabanda dhe evazioni fiskal është duke u luftuar. Sot i kemi 92 milionë më tepër sesa vitin e kaluar, pra këta numra e tregojnë se sa shumë jemi duke e luftuar evazionin dhe kontrabandën në territorin e Kosovës”, thotë ai.
Ndryshe, për parandalimin e të gjithë atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes se tatimeve dhe evazionit fiskal, autoritet kompetente kanë krijuar disa mekanizma dhe Task Forca të krijuara nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. /Rel/

Exit mobile version